Dialogu Kosovë-Serbi, Muhamet Mustafa do ta drejtojë pjesën e ekonomisë

E publikuar: 25/07/2020 09:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka numëruar disa nga humbjet që u janë shkaktuar Kosovës gjatë luftës, që kapin shifrën miliarda dollarë, derisa ka njoftuar se pjesën e ekonomisë në dialogun Kosovë-Serbi, do ta udhëheq profesori Muhamet Mustafa.

Hoti mbrëmë në mbyllje të seancës së Kuvendit, tha se dëmet e luftës janë të arkivuara në arkivin e shtetit nga viti 2000-2001, të përgatitura atëherë në përputhje me strategjinë standarde ndërkombëtare për evidentimin e dëmeve nga vitet 90-ta dhe të dëmeve të luftës.

Ai tha se para se të diskutohet kjo temë në takimin e ardhshëm, kurdo që do të caktohet ai, do të shkojë në Kuvend dhe do të tregojë në detaje qëndrimin.

“Sa i përket dëmeve të lufta të evidentuara në bazë të metodologjisë shkencore me standarte ndërkombëtare janë këto; bruto produkti i brendshëm i humbur i Kosovës me vlerën e vitit 1988, i humbur gjatë viteve 90-ta, 11 .9 milardë dollarë, humbjet në investime 5.7 miliardë dollarë, humbjet në Trepçë 700 milionë dollarë, dëmet në asetet fikëse, bankave 226.7 milionë dollarë, kursimet e grabitura 320.4 milionë dollarë dhe grabitja tjetër e dokumentacionit. Dëmet në sistemin buxhetor 3.6 miliardë dollarë, pagat e humbura për shkak të përjashtimit diskriminues nga puna 5.4 miliardë dollarë, shtesat të fëmijëve 257 miliardë dollarë, dëmet në sistemin pensional 800.20 milionë dollarë. Këto janë çështje që do të shtrohen në marrëveshjen finale. Pjesa e ekonomisë do të mbulohet prej ekspertëve më të mirë të ekonomisë që kanë punuar në negociatat e Vjenës dhe profesori Muhamet Mustafa, ish kolegu i juaj, do ta udhëheqë këtë pjesë”, tha Hoti.

Ai duke dhënë detaje, tha se të enjten në Bruksel është draftuar kapitulli i marrëveshjes përfundimtare për të pagjeturit./kp/