Deputeti i Parlamentit Evropian ka lajme të mira për Kosovën: Unë jam miku juaj

E publikuar: 23/03/2018 23:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lukas Mandl deputeti i Parlamentit Evropian nga radhët e Partisë Popullore Austriake, është shprehur i kënaqur me ratifikimin e marrëveshjes nga Kuvendi i Kosovës për demarkimin e kufijve me Malin e Zi.

Në një prononcim për Indeksonline, ai tha se ky është një hap gjigand përpara liberalizimit të vizave, duke shfrytëzuar rastin të uroj Kosovën me këtë rast. Sipas tij, kushti tjetër që Kosova duhet ta përmbush është sundimi i ligjit dhe luftimi i korrupsionit, duke përmendur edhe Gjykatën Speciale si aspekt kyç.

“Kushti kryesor që tash Kosova duhet të plotësoj lidhet me sundimin e ligjit dhe një juridiksion funksional, i cili gjithashtu llogaritet me dhomat e specializuara. Unë e kuptoj se autoritetet publike të Republikës së Kosovës që merren me këto çështje janë në prag të paraqitjes së rezultate në këtë fushë para bashkësisë ndërkombëtare.” është shprehur Mandl.

Ai ka theksuar se plotësimin e këtyre hapave nuk e kërkon vetëm Bashkimi Evropian por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ne nuk duhet të harrojmë se jo vetëm që Bashkimi Evropian kërkon plotësimin e këtyre hapave, por këto hapa i kërkojnë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të dy ne jemi partnere të Kosovës dhe nuk është në interesin tonë të kemi një marrëdhënie afatshkurta me interes afatshkurtër, por një marrëdhënie afatgjatë në interesin afatgjatë për të gjithë njerëzit e përfshirë dhe gjeneratave të ardhshme – të popullit të Kosovës, si dhe të BE-së dhe të Shteteve të Bashkuara. Kjo nënkupton miqësinë e vërtetë!”, është shprehur Mandl për Indeksonline.

Euro deputeti është shprehur se po mundohet t’ua bëjë vendimmarrësve dhe ligjvënësve brenda Bashkimit Evropian të ditur se kosovarët janë kundër të gjitha llojeve të ekstremizmit, e po mundohen ta luftojnë naciononalizmin. Mandl tha se po ua bënë me dije që në Kosovë po punohet fortë për demokraci dhe sundim të ligjit.

“Unë po ndajë përvojën time dhe pikëpamjet e mia në lidhje me Kosovën pothuajse çdo ditë në bisedime dhe takime, me qëllim që të sigurohem që edhe vendimmarrësit e tjerë dhe ligjvënësit të keni në dijeni faktin se numri i madh i njerëzve në Kosovë janë krejtësisht kundër të gjitha llojeve ekstremizmin por edhe kundër nacionalizmit, sepse duan të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe po punojnë çdo ditë për të forcuar Republikën e Kosovës, bazuar në demokraci dhe sundim të ligjit.” thuhet në përgjigjen e Mandl.

Në fund, deputeti i Partisë Popullore Austriake tha se është i vetëdijshëm edhe për faktin që liberalizimi i vizave do të ndihmonte në zhvillimin ekonomik dhe do thellonte besimin e qytetarëve në shtetin e ri të Kosovës. Stabilitet ky që do të ishte në interes jo vetëm të Kosovës por edhe gjithë Evropës.

“Është e qartë se liberalizimi i vizave do të ndihmonte gjithashtu edhe në zhvillimin ekonomik dhe për të thelluar besimin në këtë shtet të ri, i cili po lufton sot, por mund të ketë një të ardhme të ndritshme. Kjo e ardhme e ndritur dhe një shtet dhe shoqëri e stabilizuar do të ishte në interes jo vetëm të Kosovës, por të të gjithë Evropës.” ka përfunduar Mandl.

Ndryshe, ratifikimin e marrëveshjes për demarakimin e kufijve me Malin e Zi e kanë përshëndetur krerët më të lartë ndërkombëtar, duke e cilësuar si hap të madh përpara./Indeksonline/R.Ç