Deputeti i LDK-së vlerëson Mustafën si unifikues të Partisë, Vjosën e propozon për Kryeministre

E publikuar: 03/08/2019 20:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pas zgjedhjes së Isa Mustafës në postin e kryetarit të partisë, tashmë nga LDK’ja kanë filluar të dalin zëra publik në përkrahje të deputetes Vjosa Osmani për kandidate të kësaj partie për kryeministre në zgjedhjet e ardhshme.

Deputeti i kësaj partie, Haxhi Avdyli, thotë se Vjosa Osmani është duke u përkrahur nga qytetarët në çdo sondazh që bëhet.

Sipas tij dyshja Osmani-Mustafa, do të ndihmojë Kosovën që të kthehet në binarët e zhvillimit dhe progresit, shkruan Gazeta Express.

“LDK vazhdon edhe 4 vite me liderin e saj Isa Mustafa që mban stabilitetin dhe unitetin e saj. Kurse ndryshimi dhe fitorja e zgjedhjeve nacionale e konfirmuar në çdo anketë e sondazh online dhe fjalët e mijëra qytetarëve të takuar kudo, e ka emrin Vjosa Osmani-Sadriu. Ky binom do jetë i ndihmuar nga secili prej nesh kudo që jemi, për të risjellur Kosovën tonë në binarët e zhvillimit e progresit. Vazhdojmë..”, ka shkruar në profilin e tij Avdyli.

Gjatë procesit të brendshëm zgjedhor ishte përfolur shumë emri i Vjosa Osmanit si kandidate për kryetare të LDK’së, megjithatë kryesia e LDK’së kishte bërë përpjekje të gjente një kandidat konsensual meqenëse pretendentët për postin e kryetarit ishin të shumtë.

Isa Mustafa siç u raportua edhe dje, ishte emri i vetëm i cili përfaqësonte një lloj uniteti brenda partisë, gjë që u vërtetua edhe në Kuvendin e IX-të të LDK’së që u mbajt të shtunën më 3 gusht.