Dentem prezantoi DX Vision projektin inovator bazuar në inteligjencën artificale

E publikuar: 20/09/2017 20:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Dentem, platforma e parë shqiptare dedikuar dentistëve, prezantoi ditën e sotme projektin më të rëndësishëm të saj.

Quhet “DX Vision” është projektuar për të identifikuar çdo objekt si implantet, mbushjet etj… me anë të rrezeve X në grafitë dentare.

Startupi me anë të një postimi në platformën social të gazetarisë Medium përshkroi projektin e saj prej tri fazash.

Gjatë fazës së parë, ekipi i Dentem shfrytëzoi inteligjencën artificiale dhe algoritmat për të gjurmuar objektet. Gjatë testimit të këtyre algoritmeve, u arrit një saktësi prej 99%.

Në fazën e dytë Dentem ndërtoi një model dhe e trajnoi atë në mënyrë që të etiketojë objekte të shumëfishta brenda një rreze të vetme X.

Kjo fazë trajnimi është në hapat e para dhe Dentem premtoi ta demonstronte së shpejti atë.

Në fazën e tretë, algoritmi do të ofrohet për një numër të vogël përdoruesish dhe trajnimi i tij do të vijojë për ti hapur rrugë një testimi të gjërë ku përfshihen të gjithë praktikantët dentarë.

Etiketimi i një rreze X do të jetë njësoj sikur të etiketohej një mik në një foto në Facebook. Startupi beson se me implementimin e këtyre teknikave moderne, ata do të ndërtojnë një mjet i cili do të ndryshojë përgjithnjë praktikat dentare dhe analizimin e rrezeve X.

Në Maj, Dentem ju bashkua inkubatorit më të madh Evropian në Francë, Station F.

Atë kohë Dentem premtonte zgjerim në inteligjencën artificiale, realitetin e shtuar dhe atë virtual në mënyrë që tua bëjë më të lehtë jetën dentistëve.

Station F është inkubatori më i madh Evropian i startupeve dhe mbështetet fuqimisht nga gjigandi i rrjetit social Facebook.

Finalistë në edicionin e katërt të Albanian ICT Awards në kategorinë ICT Mobiliteti i Vitit, Dentem është platformë e parë online zhvilluar nga një ekip shqiptarësh dedikuar dentistëve e cila u lejon atyre të menaxhojnë axhendën e tyre, dosjet e pacientit, automatizimin e marrëdhënieve me pacientët dhe u japin atyre një përvojë të re emocionuese në Cloud.

Shërbimi është i disponueshëm online përmes ueb aplikacionit Dentem por edhe në platformat mobile Android dhe iOS. /PCWorld Albanian