Dënohen me burg dhe me gjobë të akuzuarit për fajde dhe keqpërdorim detyre

E publikuar: 20/11/2017 17:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata Themelore në Prishtinë, i ka shpallur fajtorë tre të akuzuarit për fajde Xhelal, Nuhi dhe Flamur Hoxha, si dhe policin Hamdi Jashari, i akuzuar për fajde dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Polici Jashari, për veprën penale të ndihmës në fajde, është dënuar me shtatë muaj burgim, kurse për keqpërdorim të detyrës zyrtare është dënuar gjithashtu me shtatë muaj burgim. Më pas, ndaj tij është shqiptuar dënimi unik prej një viti burgim efektiv si dhe 500 euro gjobë.

Kurse, Xhelal Hoxha është dënuar me katër vjet burgim efektiv, në të cilin dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga 26 janari 2016, e deri më 20 nëntor 2017. Hoxha, gjithashtu është dënuar me 1000 euro gjobë.

Flamur Hoxha është dënuar me tetë muaj burgim si dhe 500 euro gjobë, të cilit gjithashtu do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga 29 prilli 2016 deri më 24 gusht 2016.

Ndërsa, Nuhi Hoxha është dënuar me gjashtë muaj burgim si dhe 500 euro gjobë, derisa do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 02 shkurti 2016, deri më 29 qershor 2016.

Të dënuarit obligohen që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë edhe shumën prej 100 euro secili veç e veç.

Aktgjykimi ndaj tyre është shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu – Selimaj, sipas së cilës, tashmë të dënuarit kanë afat që brenda 15 ditësh të paraqesin ankesat e tyre, në lidhje me aktgjykimin e së hënës.

Ndryshe, sipas aktakuzës, Xhelal dhe Flamur Hoxha, nga viti 2014 e tutje, kanë kontraktuar dhe pranuar shumë jo proporcionale të të hollave. Të njëjtit, supozohet se si fajde kanë pranuar rreth 32 mijë e 800 euro nga të gjithë të dëmtuarit, me të cilët kanë kontraktuar.

Kurse, i pandehuri Nuhi Hoxha, akuzohet se ka ndihmuar të akuzuarit e lartpërmendur duke e shtyrë pagesën e këstit të fajdesë të dëmtuarve për borxhin, të cilin ata e kishin marrë nga të pandehurit. Me këtë rast, ata konsiderohet se kanë kryer veprën penale të fajdesë.

Polici Hamdi Jashari, sipas prokurorisë, akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Jashari, sipas aktakuzës, është bërë ndërmjetësues mes të akuzuarit Xhelal Hoxha dhe Mehmet Rizah Ibishit.

Prokuroria pretendon se Jashari ka ndërmjetësuar në mes të pandehurit Xhelal Hoxha dhe njërit prej të dëmtuarve. Jashari akuzohet edhe për ndihmë në fajde, për veprimet e lartpërmendura./Lajmi.net/