Deklarata e Haki Abazit: Thaçi është akuzuar nga shokët e tij për tradhti dhe vrasje politike

E publikuar: 01/05/2020 09:27
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zëvendëskryeministri në detyrë Haki Abazi ka thënë se Presidenti i vendit Hashim Thaçi është njeri i cili është akuzuar nga shokët e tij për tradhti dhe vrasje politike.

Në edicionin Special në Klan Kosova, ai është shprehur i bindur se Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kurrë nuk do ta bënte një gjë të tillë për të arritur në pushtet.

“Kur kemi përplasje të koncepteve dhe nëse Thaçi e ka ndonjërën nga këto, atëherë për publikun është me interes që të dëgjohen të gjitha ato që kanë për t’u thënë. Përgjigja e Thaçit se ai e ka mundur Kurtin, ai nuk e ka mundur askënd – ai e ka mundur vetëm veten”.

“Thaçi është njeri që është i akuzuar nga shokët e tij për tradhti dhe vrasje politike. Është njeriu i vetëm që konsideron se është mbi ligjin.

Abazi ka thënë se duhet të merren seriozisht ato se çfarë i thotë djali i Haki Imerit.

“Jam i bindur se Kurti nuk do të përdorë forma të tilla për të ardhur në pushtet – kjo është arsye pse ai ka marrë besimin e qytetarëve. Kemi të bëjmë me dy figura shumë të ndryshme”.

“E kemi parë që 20 vjet që nuk kemi liberalizim të vizave. Mbi 15 herë Thaçi ka uruar për liberalizimin e vizave. Sot Kosova është i vetmi vend i Ballkanit që nuk lëviz lirshëm dhe që ka varfërinë më të madhe në rajon”.