De Biasi e konfirmon: Sapo pranova ta drejtojë Deportivo Alavesin

E publikuar: 22/09/2017 11:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Giani De Biasi kundër Zinedin Zidan. Kjo do të jetë sfida që tifozët shqiptarë mund të shohin që nesër në La Liga, pasi ish-trajneri i përfaqësueses shqiptare i ka thënë “po” Deportivo Alaves dhe do të marrë drejtimin e klubit spanjoll.

Ka qenë vetë trajneri që ka konfirmuar gjithçka për “Panorama Sport” gjatë ditës së sotme.

“Po, është e vërtetë. Sapo u thashë ‘po’ drejtuesve të Deportivo Alaves dhe do të marr drejtimin e skuadrës”, ishin fjalët e De Biasit për gazetën, duke zyrtarizuar kthimin e tij në pankinë e për më tepër në Spanjë, ku ka drejtuar më parë Levanten.

Tekniku i përfaqësueses ishte prej qershorit në kërkim të një skuadre të re dhe tani do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij në një prej kampionateve më prestigjiozë në botë.

Sigurisht, ai nuk ka një detyrë të lehtë te Deportivo Alaves, i cili ka regjistruar 5 humbej në po aq ndeshje në kampionat, pa shënuar asnjë gol.

Prova e radhës do të jetë ajo e të shtunës në drekë, ndaj Real Madrid, por nuk dihet ende nëse De Biazi do të jetë në pankinë apo do të ndjekë nga tribuna këtë takim.