“Corriere”:: Shkëlqimi i të thjeshtit Strakosha

E publikuar: 04/10/2016 12:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

E përdtshmja sportive italiane, Corriere Dello Sport i ka kushtuar një hapësirë të vecantë në numrin e kësaj të marteje Thomas Strakoshës, portierit shqiptare të Lazios, i cili po e shfrytëzon më së miri mundësinë që i është dhënë në radhët e bardhekaltërve. “Është vetëm 21-vjec, shkruan Corriere Dello Sport, dhe e ka mbyllur rubinetin e portës kundër Empolit dhe Udinezes. Nuk kishte ndodhur më parë që Lazio të mos pësonte gol në dy ndeshje radhazi.”

Strakosha di të qëndrojë mes shtyllave si dhe zotëron një teknikë të lartë edhe në lojën me këmbë. Të shtunën në “Friuli” ka shmangur dy gola të sigurtë me pritje teknike dhe instiktive, si dhe vendosi firmën e tij edhe në momentin e shënimit të golit të tretë të Lazios. Strakosha debutoi ndaj Milanit në “San Siro”. Nga njëra anë portieri shqiptar dhe nga ana tjetër Donaruma. Hija e Milanit nuk e trembi 21-vjecarin, i cili ka në krah të tij te Lazio Marcchetin dhe menaxherin e klubit Angelo Peruzzi. Cdo ditë stërvitet nga Adalberto Grigioni.

Janë njerëzit idealë për ta ndihmuar që të bëhet një portier i madh. Jeta është e cuditshme. Strakosha u rikthye në radhët e Lazios pas një viti huazim në Serinë B te Salernitana, ku shumicën e ndeshjeve qëndroi në stol. Në ditët e fundit të merkatos ishte vetëm një hap larg Cardiffit në Championship, por Presidenti Lottito dhe drejtori sportiv Igli Tare e bllokuan transferimin e tij, sepse pikërisht në ato momente Etrit Berisha kaloi tek Atalanta. Djaloshi shqiptar po e përjeton këtë shkëlqim pa hequr dorë nga jeta e tij e thjeshtë. Është i akomoduar në Formello dhe ende nuk ka gjetur një shtëpi në Romë. Babai i tij, Foto Strakosha, ish-portieri i kombëtares shqiptare e ndjek me shumë vëmendje nga Greqia, ku punon në radhët e Olimpiakosit. Sheh cdo ndeshje të djalit të tij nëpërmjet transmetimeve satelitore, e vlerëson, këshillon si dhe kërkon gjithmonë më shumë nga ai.