Çollaku kërkon mbështetjen e Çekisë për vizat

E publikuar: 08/02/2016 13:13
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Integrimit, Bekim Çollaku është takuar me të dërguarin e Republikës së Çekisë për Ballkanin Perëndimor, Stefan Fule, ish-komisionier i Bashkimit Evropian për Zgjerim.

Lexoni të plotë postimin e Çollakut në Facebook:
“Sot pata takim Stefan Füle, ish Komisioner i Bashkimit Evropian për Zgjerim, dhe tani i dërguar i Republikës së Çekisë për Ballkanin Perëndimor.

Me z. Füle biseduam gjerësisht për të gjitha arritjet që janë bërë në rrugën evropiane të Kosovës nga fundi i vitit 2014 kur ka përfunduar detyrën e tij si Komisioner për Zgjerim, për gjendjen aktuale politike në Kosovë, si dhe për rolin e Çekisë në rrugën evropiane të Kosovës.

Z. Füle ka pasur një rol vendimtar në perspektivën evropiane të Kosovës përmes hapjes së negociatave për Marrëveshjen për Stabilizim Asocim që tani do të hyj në fuqi së shpejti.
Nga perspektiva e pozitës së tij të tanishme, e njoftova z. Füle për punët që kemi bërë në përmbushje të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave dhe i kërkova mbështetjen e Republikës së Çekisë që ky proces të mbyllet dhe që qytetarët të ndjehen një hap më afër Evropës, përmes udhëtimit pa viza”.