Çollaku: Befasuese, kërkesa e Kurtit për ambasadorët – tërheqjen e Konjufcës do që ta shes si trysni ndërkombëtare

E publikuar: 28/01/2020 19:04
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Analisti Adrian Çollaku, e ka vlerësuar befasueses paraqitjen e fundit të Albin Kurtit lidhur me kërkesën që negociatat mes LVV e LDK, të ndodhin sot nën prezencën e ndërkombëtarëve.

Çollaku ka thënë se epilogu i kësaj mund të jetë tërheqja e Glauk Konjufcës nga posti i Kryeparlamentarit, e më pas ta quaj para elektoratit si trysni ndërkombëtare.

”Është shumë befasuese dhe e papritur që Albin Kurti të kërkoj diçka të tillë”.

”Ideja është që Vetëvendosje, Albin Kurti, në këtë rast e ka menduar që nëse do ta tërheq Glauk Konjufcën ta shes në elektorat të tij si trysni ndërkombëtar. Sikur partitë tjera ta kërkonin, do të ishte shumë normale, por ta bënte Vetëvendosje do të ishte befasuese. Sepse askush nuk e priste që VV ta kërkonte ndërhyrjen e ndërkombëtarëve”.

”Këtë e shoh si një shitje të kësaj marrëveshje në sytë e elektoratit të tij. Sepse shohim një LDK e cila është shumë mirë e pozicionuar. Vetëvendosje vetëm se ua kanë rritë çmimin LDK-së. U tha që ishte kërkesë e Lëvizjes Vetëvendosje që të jenë ambasadorët e vendeve të Quint-it. I vetmi problem këtu është Albin Kurti dhe Vetëvendosje, sepse ishin kundër një ideje të tillë”.

”Gjithashtu ka dy pika kyçe, e para me faktin që këto dy parti do të shtyhen deri në ditën e fundit. Ose i dyti nise VV nuk do të hyjë në pushtet për shkak të sfidave, atëherë do të jetë kjo pozita e kryetarit të Kuvendit që do t’i prish këto marrëveshje”.

Adrian Çollaku u shpreh në Klan Kosova, se pavarësisht pjesëmarrjes së ndërkombëtarëve sot në takimin LVV-LDK, nuk pret ndonjë marrëveshje.

”Nuk është diçka e jashtëzakonshme sepse këta janë takuar vazhdimisht dhe nuk pres ndonjë marrëveshje. Pres që në fundjavë pres që VV do të tërhiqet nga kërkesa që ka. LDK ishte shumë e prerë, sot nuk pres që të ketë marrëveshje sepse edhe nëse arrihet kjo s’do të bëhej sot publike”.

”Ka pak ngarkesë por këta janë ende brenda afateve kushtetuese. Kjo loja deri në këtë datë, për mendimin tim është legjitime. Këto dy parti negociojnë dhe ky është Pazar politik. Në çështje parimesh ajo ka mbete elektorale dhe proklamuese. Brenda afateve kushtetuese, deri më 4 shkurt, secila do ta bëjë lojën e tyre dhe do të insistojë të marrë sa më shumë pushtet”.

Derisa sipas tij këto negociata kanë arritur tashmë në nivelin e pazarit politik, ai thotë se si rezultat ka pasur edhe diskutim për emrin e postit të Guvernatorit të BQK-së.

”Kam marr vesh që edhe posti i Guvernatorit të Bankës Qendrore është diskutuar ne negociatat VV-LDK”.

”Nëse Albin Kurti e ka seriozisht ta marrë pushtetin duhet të lëshojë pe. Nëse këta dështojnë, përgjegjësia bie mbi partinë e parë. Nëse Albin Kurti e ka me të vërtetë ta marrë pushtetin duhet të heq dorë nga posti i Kryetarit të Kuvendit”.