Cameron: Nëse dalim nga BE, rikthehet frika e luftës

E publikuar: 09/05/2016 21:57
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përveç ndikimit që mund të ketë në ekonomi, lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve, dalja e Britanisë së Madhe nga Evropa do të rikthente në Kontinentin e Vjetër ‘frikën e luftës’.

Ky ishte mesazhi i përcjellë nga kryeministri David Cameron këtë të hënë gjatë një fjalimi në hapjen e fushatës finale për referendumin e 23 qershorit që do të vendosë nëse Londra do të qëndrojë apo do të shkëputet nga Brukseli.

“Bashkimi Evropian bëri bashkë vende në konflikte shekullore dhe për dekada me radhë ruajti paqen në kontinent. Por kjo paqe e vendosur nga BE do të rrezikohej nëse Britania e Madhe vendos të largohet”, deklaroi kryeministri Cameron.

Një shkëputje nga Brukseli, vijoi ai, do të përktheheshin në kthim pas në kohë në epokën e nacionalizmave ekstreme në Evropë.

“Izolimi nuk i ka shërbyer asnjëherë për mirë vendit tonë dhe ajo çfarë ndodh te fqinjët tanë na prek gjithmonë dhe kjo është vërtetuar në vitin 1914, 1940 dhe në vitin 1989”, deklaroi Cameron.

Ajo që tërhoqi vëmendjen në këtë takim të parë, që fut në fazën finale fushatën për ‘Po’ ose ‘Jo’ në BE, ishte se Cameron u ftua të marrë fjalën nga laburisti David Miliband, ish-drejtues i lartë në qeveritë e Gordon Brown dhe Tony Blair.