Buxhovi: LDK-së i duhen reforma, Osmani duhet të qëndrojë

E publikuar: 23/06/2020 22:39
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Jusuf Buxhovi në emisionin Desku në KTV ka thënë se LDK-së i duhen reforma, derisa ka theksuar se Vjosa Osmani duhet të mbetet pjesë e saj.

“LDK-ja i ka dy pamje, atë historike nga 1989-1999. Ka bërë një punë historike, e Rugova mbetet në histori pikërisht për shkak të rolit të tij. Faktori ndërkombëtar e ka detyruar të hyjë në bashkëqeverisje. Dhe LDK-ja nuk e ka pas kryeministrin as në zgjedhjet e para e të dyta”, ka thënë Buxhovi, historian dhe shkrimtar.

Buxhovi ka thënë se Rugova ka qenë një njeri i kompromiseve, dhe se ai e ka ditur raportin e forcave.

Ai thekson se Rugova nuk ka lejuar që Thaçi të bëhet kryeministër.

“Ai e ka ditur se çfarë do të thotë për amerikanët të kenë dy faktorët në një binar. Dhe ai ka qenë i detyruar ta pranojë kryeministrit prej krahut të luftës dhe aty ka qenë ajo formulë. Të vetmen gjë që e ka bërë Rugova në ato rrethana që nuk ka lejuar që Thaçi të bëhet kryeministër. Ka qenë ky pozicioni i tij ndaj Thaçit sepse ai ka pasur njëfarë konkurrence e mosbesimit ndaj Thaçit, nga Rambujea. Ai e ka konsideruar Thaçin dhe Shtab Politik e ka konsideruar si një krah ideologjik të lidhur me konjektura të ndryshme të Shqipërisë. Nuk e ka lejuar Thaçin të bëhet kryeministër dhe ka ardhur deri te kompromisi i Bajram Rexhepit”, ka thënë Buxhovi.

Sipas tij LDK-ja e sotme nuk është në linjë të njëjtë me atë të Rugovës.

“Rugova ka vdekur, por LDK-ja që mbeti pas tij nuk ishte më në konstalacion të asaj linje. Ka mbetur kauza e hapur dhe pse e them këtë është se nuk ka përfunduar procesi i demokracisë. Nuk ka përfunduar, shteti i Kosovës nuk është përmbyllë. Kauza e LDK-së për liri, barazi e shtet perëndimor është shkëput me vdekjen e Rugovës. Sot kauza e LDK-së është një kauzë e grupeve të caktuara feude për me e mbajt pushtetin”, ka thënë Buxhovi.

Madje ai thotë se LDK-ja i është nënshtruar disa konjukturave të Thaçit.

“Unë jam kritik ndaj LDK-së dhe duhet të jem. Jam anëtar i LDK-së dhe votues i saj. Partitë politike nga 2006-2008 e tutje janë pjesë e feudeve të caktuara për interesa të caktuara politike. LDK-ja për fat të keq është pjesë e tyre, bile iu ka nënshtruar disa konjukturave të Thaçit dhe të PDK-së. Ka hyrë në disa marrëveshje me ta që vazhdimisht e ka humbur kredibilitetin e vet dhe i ka krijuar probleme Kosovës”, ka thënë Boxhovi.

Buxhovi gjithashtu ka komentuar edhe situatën e Vjosa Osmanit brenda partisë, dhe përjashtimin e saj nga kryesia dhe pozita e nënkryetares.

“Çështja e Vjosës është më komplekse. Ajo është gjetë në një trekëndësh nga viti 2014 e tutje ndërmjet Sejdiut, Thaçit dhe Mustafës. Aty është zhvilluar një luftë për pushtet dhe në atë trekëndësh është sjellë edhe Vjosa Osmani. Kjo që ka ndodhë nuk duhet të ndodhë në tjerat. Jeta partiake ka rregullat e veta”, ka thënë ai.

Sipas tij kur nuk pajtohesh me partinë janë vetëm dy rrugë.

“Vet fakti se hynë në një parti politike ti je i kufizuar. Po të isha unë do të merresha me politikë, sepse kam dashur të ruaj integritetin intelektual. Si të jesh në parti ajo ka rregullat e vet. Derisa të merret vendimi ti mund të jesh kundër saj. Por, kur të merret vendimi ka vetëm dy rrugë: ose duhet ta pranosh atë ose duhet të largohesh, nuk ka tjetër”, ka thënë ai.

Megjithatë, sipas tij kështu siç ka vepruar Osmani nuk mund të bëhet, porse sipas tij ajo duhet të mbetet brenda partisë dhe të bëhen reformat.

“Kjo është një pjesë e procesit se kauza ka mbet në gjysmë. Por, kështu siç e ka nisur Osmani nuk mund të bëhet sepse nuk mund të luftosh kundër partisë tënde në këtë mënyrë. Duhet të shikosh nga brenda dhe të luftosh për reforma. Po të jetë një LDK e fuqishme skena politike do të dukej ndryshe. Kosovës i duhet ndryshimi. LDK-ja ka për detyrë reformat. Kanë filluar reformat në LDK edhe zonja Osmani e të tjerët duhet aty të luftojnë, të vazhdojnë kauzën e LDK-së. Ajo duhet të mbetet aty, dhe të ruajë interesat e partisë”, ka thënë Buxhovi.

Buxhovi thotë se LDK-ja ka potencial të madh./Koha.net/