Buffon, lamtumira e një legjende

E publikuar: 19/05/2018 19:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Sa shumë emocione të përziera për tifozët e Juventusit në këtë të shtunë.

Ata pas fitores ndaj Hellas Veronën festuan titullin e shtatë radhazi në Serie A, por edhe e përshëndetën Gianluigi Buffonin.

I dhanë lamtumirën e fundit kapitenit të betejave të shumta.

Përqafime, duartrokitje, kore, banere, korografi dhe shumë emocione, kështu u përcoll portieri legjendar nga tifozët e Zonjës së Vjetër.

Buffon kaloi 17 vite me fanellën bardhezi, ai la fushën në minutën e 17-të të pjesës së dytë dhe në vend të tij u fut portieri i tretë Carlo Pinsoglio.

Teksa italiani largohej nga fusha ai u përcoll me duartrokitje të njëpasnjëshme nga të gjithë të pranishmit në Allianz Stadium dhe bashkëlojtarët i krijuan korridorin e nderit.

Ai qëndroi për disa minuta në stol dhe pastaj u kthye të përshëndet tifozët, ku teksa loja po zhvillohej ai ecte përreth stadiumit duke ia dhënë dorën atyre që i kishte afër.

“17 vite me ty… faleminderit G1G1!” (Foto: Getty Images)

Por, nuk duhet harruar që para ndeshjes Buffon kishte dal në fushë së bashku me tre djemtë e tij Thomas, David Lee dhe Leopoldo, teksa tifozët këndonin: “Ka vetëm një numër 1, ka vetëm një numër 1”.

Koreografia e tifozëve e përgatitur për Buffonin (Foto: Getty Images)

Tifozët ultras në këndin e jugut ekspozuan një flamurin me një frazë të dedikuar për atë: “Vetëm ata që e provojnë të pakuptimtën, arrijnë pamundësinë”.

Buffon në 656 ndeshje, ka arritur ta mbajë portën e paprekur 301 herë.

Përveç nëntë Scudettove, ka fituar edhe pesë herë Superkupën e Italisë dhe katër herë Kupën e Italisë. Normalisht dhe një mori titujsh individual. /Telegrafi/