Bitcoin në udhëkryq pas zhvlerësimit me 20 miliard dollar

E publikuar: 13/09/2017 21:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bitcoin dhe monedhat e tjera u goditën rëndë në javët e fundit ku disa besojnë se kritikat e “peshave të rënda” të Wall Streetit – siç është rasti i CEO-s së JPMorgan Chase – së bashku masat e autoriteteve Kineze – premtojnë një ndëshkim të ashpër dhe të gjatë për një prej segmenteve më të përfolura vitet e fundit të financave.

Ditën e Mërkure, vlera e një bitcoin-i të vetëm ra në 3,772 dollar nga 5,000 dollar që ishte në ditët e para të Shtatorit duke i shkaktuar monedhës një humbje prej 18.5 miliard dollarësh sipas Coinmarketcap.

Ether, monedha e dytë virtuale më popullore humbi 11% të vlerës duke rënë në 260 dollar.

Por ngritja e Bitcoin ka qenë spektakolare, duke u rritur me 300% vetëm në 2017-ën.

Rol në rënien e bitcoin mendohet të kenë luajtur edhe komentet e ekzekutivit të JPMorgan Chase Jamie Dimon ditën e Marte kur ju referua monedhës si mashtrim gjatë një konference.

Ditën e Mërkure, investitori i shquar Mohamed El-Erian dhe këshilltari për ekonominë pranë Allianz Global Investors, i hodhi akoma më shumë benzinë zjarrit i cili po përpin bitcoin duke thënë se monedha mund të humbasë 1/3 ose gjysmën e vlerës së saj.

“Aktualisht vlera e monedhës ka nxitur një adoptim masiv, dhe nuk besoj se qeveritë do të lejojnë adoptimin në masë me vlerën aktuale që ka monedha,” tha ai për CNBC.

Demat e bitcoin qëndruan në gatishmëri të komenteve negative të cilët po dëmtojnë rëndë monedhën. Megjithatë debatet se bitcoin mund të jetë një flluskë, vëmendja në rritje ndaj monedhave virtuale dhe teknologjisë blockchain që fshihet pas tyre kanë nxitur industrinë të besojë se njësitë kibernetike janë shpëtimi i tyre.

Është pikërisht ky faktor që mund të vendosë nëse bitcoin apo monedha të tjera virtuale mund të shndërrohen në një instrument të besueshëm financiar dhe të sfidojnë dollarin Amerikan.

“Dimon thotë se bitcoin është mashtrim duke qenë se vlera e tij buron nga spekulimi dhe jo nga përdorimi. Në këtë koment padyshim ka një të vërtetë. Bitcoin ende nuk është adoptuar masivisht, por numri i transaksioneve është rritur dita ditës,” tha Perry Woodin, CEO i Node 40.

Ajo që nuk mohohet dot është fuqizimi i bitcoin nga Amerika e Kina deri tek Japonia. Megjithatë ngjarjet e fundit me ndalimin e ICO-ve në Kinë kanë bërë që bitcoin të humbiste terren.

Sipas Wall Street Journal, autoritetet Kineze kanë planifikuar të mbyllin çdo bursë të bitcoin. Edhe pse industria ka dyshim mbi vërtetësinë e këtyre raporteve, Kina është një qendër e rëndësishme e aktivitetit të bitcoin duke përfaqësuar 20% të fuqisë prodhuese dhe tregtuese të bitcoin.

Kina thotë se kërkon ndalimin e përdorimit në mënyrë të jashtëligjshme të monedhës si dhe ka monitoruar ICO-të të cilët kohët e fundit kanë tejkaluar format tradicionale të investimeve në vlerë.

“Ka pasur një rënie të ndjeshme të investimeve tradicionale dhe kjo po frikëson të gjithë,” tha bashkëthemeluesi i CryptoCompare Charles Hayter.

Ai shprehet se mirëpret rregullimin e tregut nga vendet si SHBA dhe Kina në mënyrë që të legjitimohet monedha e cila është ende në fazat e saja të para. Por a do ti nënshtrohet Kina axhendës së Bitcoin?

“Kina është një engimë pas engime dhe jo gjithnjë kuptojnë se çfarë po ndodh atje,” tha Hayter.

Lidhur me komentet Dimon Hayter tha se bankat i shohin monedhat virtuale si rivale për modelin e tyre të biznesit të qarkullimit të parasë në këmbim të një pagese.

“Të komentosh një industri në rritje, pa një nivel kuptimi themelor, është mendjelehtësi,” vijoi Hayter.

Barath Rao, themeluesi dhe shefi ekzekutiv i platformës së tregtimit të monedhave virtuale Leverj, tha se shumë kritikë mund të mos kenë njohuritë e duhura për monedhat virtuale dhe potencialin e tyre për të revolucionarizuar industrinë, ashtu siç e konsideronin disa internetin në vitet 80 dhe 90.

Bitcoin është një shpikje teknologjike ashtu siç ishte motori me avull 200 vite më parë. Ata që e quajnë mashtrim, kanë për ta pranuar një ditë.

“Ata që ruajnë pasurinë e tyre në asete monedhash virtuale, e bëjnë me bindjen se është e ardhmja. Ky numër po rritet dita ditës ndërsa njerëzit për herë të parë po shijojnë një liri financiare dhe nuk do të donin të ktheheshin pas,” tha Rao.

Ngelet për tu parë nëse bitcoin është e ardhmja ose jo. Megjithatë avokatët e monedhës virtuale flasin për një numër faktorësh që e bëjnë bitcoin një sipërmarrje që premton.

Së pari, fakti që është sistem i decentralizuar dhe i pavarur nga bankat qendrore apo qeveritë e vendeve. Kjo do të thotë se individët mund të realizojnë transaksione pa një palë të ndërmjetme.

Një tjetër faktor i rëndësishëm është blockchain, softueri në themel të çdo monedhe virtuale.

E thënë thjeshtë, blockchain është një regjistër dixhital përdorimi i të cilit po njeh rritje në Wall Street përfshirë edhe kompaninë e Jamie Dimon, JPMorgan.

Banka ka testuar prej kohësh blockchainin për të luftuar ekspansionin e kryptove dhe luginës së Silikonit në sistemin bankar. JPMorgan ka përdorur blockchain për të regjistruar transaksionet bankare.

Kjo ka shtuar besimin e investitorëve tek bitcoin.

“Jamie ka shumë më tepër eksperiencë sesa unë në industrinë financiare, por nëse shikoni drejt zhvilluesve të bitcoin … kjo të ngjan me ditët e para të internetit,” tha menaxheri i përgjithshëm i eTore Iqbal Gandham.

“Ky nuk është Facebook, as Snapchat. Është diçka shumë më e madhe,” tha Gandham ndërsa i referohej vlerës kolosale prej 500 miliard dollarësh të Facebook.

Eshtë e vërtetë se të dallosh inovacionin nga mashtrimi nuk është e lehtë. Në 1903, presidenti i Bankës Michigan Savings kishte thënë se “Kali është këtu për të qëndruar ndërsa automobilat janë thjeshtë një risi.”

Ajo çfarë do të ndodh me bitcoin është një engimë. Mund të ketë luhatje të vazhdueshme madje mund të bjerë në panik duke pasur në konsideratë natyrën e monedhave virtuale.

Pyetja është se a do të arrijnë investitorët ta kapërdijnë këtë? /PCWorld Albanian