Bie në provim gjyqësia serbe: Në rigjykim “Çakallët”, që kryen krime mbi shqiptarët

E publikuar: 31/03/2015 18:45
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Apelit në Beograd anuloi vendimin për nëntë anëtarët e grupit paramilitar “Çakallët”, të cilët ishin dënuar me 106 vite burgim. Madje, dy prej kriminelëve serbë janë lënë të lirë. Grupi famëkeq serb, “Çakallët” kishin kryer krime kundër civilëve shqiptarë gjatë vitit 1999 në fshatrat Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Lybeniq të Kosovës.

Gjykata e Apelit ka vendosur që i tërë rasti të rikthehet në rigjykim, pas ankesës së avokatëve mbrojtës të kriminelëve serbë, raportojnë mediat serbe, transmeton Telegrafi.
Pas vendimit të shkallës së parë të Gjykatës Themelore, Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë vendimin e kësaj të fundit, pasi nuk kishte fakte relevante dhe si të tilla, janë hedhur poshtë tërësisht.

Të pandehurit kryesor, Toplica Miladinoviq, iu shfuqizua dënimi me 20 vjet burg, gjithashtu edhe Milojko Nikoliq dhe Dejan Bullatoviq.

Ranko Momiq ishte dënuar me 15 vjet burg, Sreçko Popoviq me 10 vjet, Abdullah Sokiq me 12 vjet, Sinisa Misiq me pesë vjet, ndërsa Sllavisha Kastratoviqi dhe Boban Bogiçeviq me nga dy vjet.
Kujtojmë se në fshatrat e lartpërmendura shqiptare të Kosovës janë vrarë 120 shqiptarë civilë të pafajshëm, ku viktimat ishin të moshës prej 19 deri në 87-vjeçe.