Behgjet Pacolli viziton Berlinin

E publikuar: 10/01/2019 09:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministri i Jashtëm i Kosovës Behgjet Pacolli takohet të enjten në Berlin me homologun e tij gjerman, Heiko Maas.

Këtë e konfirmoi të mërkurën pasdite, 9.01.19, Ministria gjermane e Punëve të Jashtme. Krahas temave bilaterale, në takim do të flitet edhe për temat aktuale të Ballkanit Perëndimor, thuhet në konferencën për shtyp. Pas takimit është parashikuar të ketë edhe një prononcim për media nga të dy ministrat.

Sipas një njoftimi të nxjerrë të martën nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, Maas dhe Pacolli do të bisedojnë ndër të tjera edhe për nevojën “e pranisë edhe më të madhe të ekonomisë dhe investimeve gjermane në Kosovë, njohjen reciproke e patentave të shoferëve mes shtetasve të Gjermanisë dhe Kosovës, përkrahjen edhe të mëtejshme të diplomacisë së Gjermanisë në njohjet e shtetit të Kosovës etj.”

Pacolli,  i cili e kish takuar Maasin në mes të dhjetorit në Paris, kishte kërkuar prej tij sipas një njoftimi të tij në Twitter, që Gjermania të ishte udhëheqëse në çështjen e liberalizimit të vizave. Gjermania deri tani ende nuk ka dalë me një vendim për këtë çështje. Sipas burimeve të DW, vendimi ka ngecur te Ministria e Punëve të Brendshme të Gjermanisë. /dw