"Bashkëpunimi" me Rusinë: Dyshime të reja mbi ish-këshilltarin e Trumpit

E publikuar: 14/09/2017 15:05
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ligjvënësit demokratë të Shteteve të Bashkuara thanë se janë duke hetuar nëse Michael Flynn, ish-këshilltar i presidentit Donald Trump për siguri kombëtare, ka promovuar fshehurazi një projekt amerikano-rus për ndërtimin e dhjetëra reaktorëve bërthamorë në Lindjen e Mesme.

“Populli amerikan meriton të dijë nëse Flynn ka promovuar fshehurazi interesat private të këtyre bizneseve, derisa ka qenë këshilltar i fushatës së Trumpit, zyrtar i tranzicionit dhe këshilltar i presidentit për siguri kombëtare”, thanë përfaqësuesit demokratë, Elijah Cummings dhe Eliot Engel, në një letër dërguar avokatit të Flynnit.

Robert Kelner, avokat i Flynnit, ka refuzuar të bëjë komente.

Ligjvënësit thanë se u kanë kërkuar shefave ekzekutivë të kompanive të përfshira në projekt që, deri më 4 tetor, t’i ofrojnë “të gjitha komunikimet” që kanë pasur me Flynnin ose zyrtarët e tjerë të administratës Trump.

Cummings është demokrat i Komitetit për Mbikëqyrje dhe Reforma Qeveritare në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa Engel është demokrat në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë. Si anëtarë të partisë pakicë, ata nuk kanë kompetencë për të lëshuar thirrje të detyrueshme për gjyq.

Projekti i përmendur ka paraparë ndërtimin e 40 reaktorëve bërthamorë në Lindjen e Mesme, të cilët do të furnizonin një rrjet elektrik rajonal. Ata nuk do të përdoreshin për prodhimin e lëndëve djegëse për armë bërthamore.

Sigurinë e tyre, ndërkaq, do ta garantonte Rosoboron, një eksportues rus i armëve, i cili është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, në kohën e ish-presidentit Barack Obama.

Projekti i propozuar do të financohej nga Arabia Saudite dhe shtetet e tjera të Gjirit Arab, ndërsa do të ndërtohej dhe udhëhiqej nga një konsorcium i firmave amerikane, ruse, franceze, holandeze, arabe, britanike, ukrainase dhe izraelite.

Cummings dhe Engel thanë se Flynn nuk ka njoftuar për udhëtimin e tij në qershor të 2015-ës në Egjipt dhe Izrael për të promovuar projektin.

Ata thanë se një gjë e tillë paraqet shkelje të ligjit federal.

Dy ligjvënësit thanë po ashtu se gjetjet e tyre ia kanë dërguar këshilltarit të posaçëm të Departamentit të Drejtësisë, Robert Mueller.

Thomas Cochran, këshilltar i kompanisë ACU Strategic Partners, e cila do të ndihmonte në zhvillimin e projektit, u ka thënë ligjvënësve se Flynn, gjatë udhëtimit në Lindjen e Mesme, ka qenë e paraparë t’iu bëjë presion zyrtarëve egjiptianë që të mos pranojnë një ofertë rivale nga Rusia, për financimin dhe ndërtimin e një sistemi më të vogël, prej vetëm katër reaktorësh, në Egjipt.

Gjatë vizitës në Izrael, Flynn ka bërë përpjekje të sigurojë Tel Avivin se projekti do të jetë në interesin e tij, ka thënë po ashtu Cochran.

Propozimi, megjithatë, nuk ka shkuar përtej fazës së planifikimit. Por, duke iu përgjigjur ligjvënësve, Cochran ka lënë të kuptohet se mund të ketë mbështetje nga administrata Trump, veçanërisht për shkak të përpjekjeve të saj për të përfshirë interesat e SHBA-së dhe Rusisë.

Flynn është figura kryesore e hetimeve në Kongres dhe në Departamentin e Drejtësisë mbi përpjekjet e Rusisë për të ndërhyrë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, vitin e kaluar, dhe mbi bashkëpunimin e mundshëm të ndihmësve të Trumpit me zyrtarët rusë.

Rusia ka mohuar ndërhyrjen në zgjedhjet në SHBA, ndërsa Trump ka thënë se nuk ka pasur bashkëpunim të tillë.

Flynn është shkarkuar nga posti i këshilltarit për siguri kombëtare në muajin shkurt, pasi një zyrtar i lartë i Departamentit të Drejtësisë ka paralajmëruar se ai mund të shantazhohet, sepse Moska e ka ditur se ai ka bërë deklarata mashtruese në lidhje me kontaktet e tij me zyrtarët rusë.

Përgatiti: Valona Tela