Barcelona i kthehet fitores dhe kreut në La Liga pasi mposhtën Sevillan – Katalunasit janë gati për El Clasico   

E publikuar: 21/10/2018 04:50
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Barcelona ka fituar ndaj Sevillas me rezultat 4-2 në ndeshjen e vlefshme për javën e nëntë të kampionatit spanjoll, La Liga.

Skuadra e drejtuar nga Ernesto Valverde ka arritur të fitojë në Camp Nou ndaj Sevillas, duke iu rikthyer fitores pas katër ndeshjeve, ku pati tri barazime dhe një humbje.

Pjesa e parë e ndeshjes i takoi në tërësi katalunasve, të cilët përveç dominimit në posedim dhe raste, arritën të shënojnë edhe dy gola.

Coutinho duke festuar me Messin dhe Alban (Photo by Alex Caparros/Getty Images/Guliver)

Goli i parë i ndeshjes erdhi pas vetëm dy minutave lojë, ku Philippe Coutinho shënoi për epërsinë 1-0 pas asistimit të Lionel Messi.

Pas asistimit, Messi (12′) gjeti edhe vet rrugën e golit duke shënuar një gol të bukur nga jashtë zona për epërsinë 2-0.

Momenti i golit nga Messi (Photo by Alex Caparros/Getty Images/Guliver)

Megjithatë, ylli argjentinas ishte i pafat duke u lënduar në dorën e djathtë gjatë një dueli të lehtë me Franco Vazquez dhe u detyrua të largohet nga loja në minutën e 26-të.

Messi teksa ndjen dhimbje të mëdha në dorën e tij (Photo by Alex Caparros/Getty Images)

Në pjesën e dytë, u zhvillua lojë më e barabartë, ku të dyja skuadrat arritën të shënojnë nga dy gola.

Barcelona arriti në minutën e 63-të të ngrit epërsinë në 3-0 me anë të Luis Suarez, i cili ishte i saktë nga penalltia, ndërsa Sevilla shënoi me anë të Pablo Sarabia (79′) për 3-1.

Festa e Suarezit pas golit të shënuar (Photo by Alex Caparros/Getty Images/Guliver)

Fundi i ndeshjes i sjelli edhe dy gola tjerë, ku Ivan Rakitic (88′) shënoi një gol të bukur për 4-1, ndërsa Luis Muriel (90+) vulosi rezultatin përfundimtar 4-2.

Pas kësaj fitore, Barcelona e sheh veten në pozitën e parë me 18 pikë, ndërsa Sevilla renditet në vendin e tretë me 16 pikë.

Në ndeshjen e radhës, Blaugranët e presin në shtëpi Real Madridin në El Clasicon e parë të sezonit, ndërsa Sevilla e pret Huescan. /Telegrafi/