Banorët në Bregun e Diellit refuzojnë bazën e re të kontejnerëve

E publikuar: 22/09/2018 19:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Për më shumë se tri dekada këto blloqe banesore në rrugën “Qamil Bala” në Bregun e Diellit, kanë pasur vetëm një bazament për kontejnerët e mbeturinave.
Në hapësirën mes blloqeve, pranë strehimores prapa “Postës së Vogël”, është baza e vjetër ku janë të vendosur katër kontejnerë, raporton KTV.

Por së fundmi, vetëm në pak metra tutje, në distancë më të afërt me banesat, është krijuar edhe baza e dytë më e madhe se e vjetra, e cila po kundërshtohet nga disa banorë.

Përfaqësuesi i tyre, thotë se përmes një peticioni kanë kërkuar mos-krijimin e bazës së re, po vetëm zgjerimin e së vjetrës.

Ajrullah Emini, përfaqësues i banorëve thotë se hapësira e re e destinuar për kontejnerë është shumë pranë dritareve të banesave. Thotë se komuna nuk konsultoi fare banorët e as nuk mori parasysh peticionin.

Ndërsa këmbëngulë se baza e vjetër ka mundur të rritet, pasi njësoj është bërë edhe në pjesë të tjera të lagjes, ku një bazë ka deri në 9 kontejnerë.

Por, në Komunën e Prishtinës thonë se Emini ka mbetur i vetëm në këtë kërkesë, pasi komuna është pajtuar me banorët tjerë.

Adonis Tahiri, zëdhënës në Komunën e Prishtinës thotë se baza e re është bërë sipas planit dhe nuk do të ndryshohet.
Gjatë javës, bazës së re të mbeturinave i është shtuar edhe kabina.