Banka Qendrore e Kosovës, nuk ka garanci në Bitcoin

E publikuar: 16/12/2017 05:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Bitcoin monedha dixhitale kriptografike më popullore në botë vijon të shënojë dita ditës rekorde të reja ndërsa ditën e sotme arriti në 18.131 dollar.

Me rritjen e vlerës së saj, interesi është shtuar edhe në Shqipëri dhe Kosovë. Prej 6 muajsh qytetarët e Kosovës kanë pasur mundësi të blejnë dhe shesin bitcoin nga ATM-ja e parë sjellur në Prishtinë nga Albvision.

Megjithatë institucionet shtetërore në Kosovë por edhe më gjërë kanë shprehur shqetësim duke kërkuar nga investitorët të tregohen të kujdesshëm dhe një plan për legjitimin e tyre në Kosovë duket shumë larg.

Në një reportazh të Klan Kosova, Banka Qendrore e Kosovës bën thirrje që të mos u besohet këtyre monedhave dixhitale. Një zëdhënës i Bankës tha se për këto valuta nuk garanton asnjë institucion.

“Që nga Qershori me mijëra qytetarë kanë investuar në bitcoin dhe së shpejti do të pranohet edhe nga shumë institucione në Kosovë,” shprehej përfaqësuesi i Albvision Ardian Alaj për Klan Kosova.

Ai vuri theksin tek pranimi dhe mbështetja që po gjen monedha nga vende të ndryshme të botës por edhe institucione si dhe tha se nuk ka asnjë rrezik për dështimin e saj.

Në fillim të Dhjetorit bitcoin debutoi në bursën e Chigaco Board Options, hera e parë që monedha tregohej publikisht.

Sakaq Banka e Amerikës dy ditë më parë mori nga autoritetet Amerikane patentën për këmbimin e monedhës në paranë tradicionale prej letre.

Gjithashtu zyrtarë të Bankës Qendrore Evropiane janë shprehur se është i domosdoshëm rregullimi i këtij tregu dhe si rezultat pranimi i monedhës.

Albvision ishte kompania e parë shqiptare që solli në Korrik një ATM të monedhave dixhitale. Ajo ofron tashmë dy të tilla dhe zotëron fabrikën e saj të zhvillimit dhe prodhimit të monedhave kriptografike.

Për më tepër ju ftojmë të ndiqni reportazhin e Klan Kosova për bitcoin. /PCWorld Albanian