“Ballafaqohen” Edita Tahiri dhe Dardan Molliqaj: Kush ka gënjyer e kush mashtron!?

E publikuar: 03/09/2015 23:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova, për të diskutuar në lidhje me marrëveshjet e fundit në Bruksel për Asociacionin e Komunave Serbe, implikimet e mëtutjeshme të kësaj marrëveshjeje, situatën aktuale politike dhe të tjera zhvillime politike, të ftuar të Baton Haxhiut ishin Edita Tahiri – ministre për Dialog, dhe Dardan Molliqaj – sekretar organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje.
Tahiri ka theksuar se dialogu ka dhënë rezultate të rëndësishme dhe se asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive.

“Ligjet e Kosovës e lejojnë krijimin e asociacioneve që derivojnë nga bisedimet e Vjenës. Qytetarët nuk kanë pse të shqetësohen për asgjë – marrëveshjet janë në përputhje me Kushtetutën. Asociacioni nuk ka kompetenca ekzekutive dhe nuk është pushtet i tretë”, ka thënë ajo.

Molliqaj ka thënë se dialogu i Brukselit nuk ka sjell hapa para për Kosovën.

“Kemi devalvim të integrimit të serbëve në Kosovë. I kemi barrikadat, i kemi strukturat paralele në Kosovë. Fakti që qeveritarët kanë thënë qindra herë se Serbia e ka njohur Kosovën, i bie që nuk e ka ndërmend që ta njohë Kosovën”, ka shtuar Molliqaj.

Ai e kundërshtoi cilësimin e MSA-së si integrim evropian, ndërsa përmendi ato që ai i cilësoi ‘gënjeshtra publike’ të akterëve politikë në Kosovë deri në Marrëveshjet e Brukselit dhe pas tyre.

“Fusnota nuk është shkrirë si ka thënë Tahiri, por u aktualizua; e njëjta pati thënë se do të aplikojmë pa fusnotë, ndërsa aplikon me fusnotë. Ministrja thotë se barrikada u hoq, por kjo nuk ndodhi. Këto katër vite keni gënjyer për shumë çështje”, ka thënë Molliqaj.

Tahiri kundërshtoi pretendimet e Molliqajt se Qeveria e Kosovës dhe vet ajo si negociatore kanë mashtruar gjatë gjithë dialogut me Serbinë.

“Mashtrim është të mos e njohësh Republikën e Kosovës, siç bëni ju: Vetëvendosja. Teksa po flisni për mashtrimin, mashtrim është të mos e njohësh pavarësinë e vendit”, ka thënë ajo, duke shtuar se Marrëveshjet e Brukselit i kanë dhënë Kosovës kontroll në të gjithë territorin e vendit, shuarje të organizmave të sigurisë që kanë vepruar ilegalisht në ato komuna, ndërsa kundërshtoi barazimin që po i bëhet Asociacionit me Republikën Serbe në Bosnjë.

“Akuza se Asociacioni është bosnjëzim i Kosovës është populizëm”, ka thënë Tahiri. /Klan Kosova/