Bajrami pjesëmarrëse në debatin e Dubrovnikut për zhvillimin ekonomik të Europës Juglindore

E publikuar: 01/10/2016 12:31
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, po merr pjesë në konferencën “Idetë e Mençura dhe Koncepti i Ri për Rigjenerim Ekonomik të Evropës“ që po i zhvillon punimet në Dubrovnik të Kroacisë, njofton MTI.

“Ministrja Bajrami ishte paneliste në sesionin e diskutimeve rreth politikave të zhvillimit të sektorit industrial në vendet e Evropës Juglindore. Në ligjëratën e saj, ministrja Bajrami foli pak për historikun e zhvillimit industrial në Kosovë; për sektorët kryesorë të cilët kanë qenë bartës të ekonomisë së vendit. Ajo u ndal edhe tek periudha e okupimit e viteve 90-ta si pasojë e të cilës industria dhe zhvillimi ekonomik i vendit tonë kishte pësuar shkatërrime të mëdha.

Më tej, Bajrami foli edhe për periudhën e pasluftës dhe përpjekjet e institucioneve të Kosovës për rigjenerimin e ekonomisë dhe sektorëve të ndryshëm strategjik të ekonomisë së Kosovës. Ministrja Bajrami, ndër të tjera, theksoi se përkundër sfidave të shumta, Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në konsolidimin e saj ekonomik. Ajo foli rreth politikave që qeveria e Republikës së Kosovës është duke i ndërmarrë, me qëllim të nxitjes së sektorëve të prodhimit, por edhe të shërbimeve për të cilat vendi ynë ka potencial të lartë.

Për të ndërtuar një ambient të favorshëm për zhvillimin e sektorëve kryesorë industrial, ministrja Bajrami vuri theksin tek ndërtimi i bazës legale në të cilin aspekt, siç tha ajo, janë shënuar rezultate shumë të mira të cilat do të ndikojnë për të mirë në stimulimin e rritjes së prodhimit dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Ajo tha po ashtu nënvizoi se për krijimin e politikave në të mirë të zhvillimit të biznesit, qeveria e Kosovës ka krijuar një platformë të mirë të dialogut me komunitetin e biznesit përmes Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Ministrja përmendi edhe Marrëveshjen për Stabilizim Asociim me BE-në, investimet në infrastrukturë, ndërtimin e zonave industriale, etj., si zhvillime të cilat do ta favorizojnë rritjen ekonomike të mëtutjeshme të Kosovës. Ministrja Bajrami u takua edhe me Ministren e Administratës Publike të Kroacisë, Dubravka Alibegoviq, me të cilën diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror në mes Kosovës dhe Kroacisë. Në konferencë po marrin pjesë ministra dhe udhëheqës të lartë shtetërorë si dhe pjesëtarë të komunitetit akademik nga rajoni dhe Evropa”, thotë njoftimi i MTI’së.