Arrestohet një polic në Mitrovicë, ai kërkoi 25 mijë euro nga një qytetar

E publikuar: 22/01/2020 16:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se kanë arrestuar një zyrtar policor të Drejtorisë së Mitrovicës së Veriut, pasi që ai ishte i përfshirë në një aktivitet të kundërligjshëm.

Në njoftimin e bërë për media thuhet se bazuar në të dhënat fillestare të pranuara, i dyshuari (zyrtari policor me inicialet D.K) ka kërkuar një shumë të konsiderueshme të parave (25.000 euro) nga një qytetar për t’i bërë të mundur transferimin e pajisjeve të një fabrike nga komuna e Zveçanit në komunën e Graqanicës.
“Hetuesit e IPK-së kanë filluar ndërmarrjen e veprimeve hetimore që ka përfshirë grumbullimin e informacioneve shtesë në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore në Mitrovicë”, thuhet në njoftim.

Nga hetuesit e IPK-së ka filluar hetimi penal me dyshimin se nga zyrtari policor janë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrje e ryshfetit” .

Bazuar në Kodin e Procedurës Penale hetuesit e IPK-së kanë siguruar urdhëresën për masa të fshehta nga Gjykata Themelore e Mitrovicës duke përfshirë këtu edhe masat e fshehta të hetimit respektivisht simulimit të veprës penale.

Kjo urdhëresë është zbatuar sot nga hetuesit e IPK-së të cilët janë asistuar edhe nga njësi të specializuara të Policisë së Kosovës dhe ka rezultuar me arrestimin e të dyshuarit – zyrtarit policor D.K ( pjesëtar i Policisë së Kosovës në Njësinë Reaguese të Shpejtë – Drejtoria Rajonale Veriu).

“Gjatë arrestimit tek i dyshuari janë gjetur 12.500 euro (dymbëdhjetë mijë e pesëqind euro) të cilat dyshohet që i ka pranuar nga ankuesi/viktima”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Të dyshuarit të arrestuar nga hetuesit e IPK-së me vendim të prokurorisë i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.