Arrestohen 5 aktivistë të Vetëvendosjes, kjo e quan represion policor

E publikuar: 02/09/2015 11:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Lëvizja Vetëvendosje përmes një komunikate për opinion ka akuzuar policinë e Kosovvës, të cilën kjo e quan të Isa Mustafës, për represion ndaj aktivistëve të saj.

Në komunikatë thuhet:

Mbrëmë, Policia e Kosovës arrestoi 4 aktivistë të Vetëvendosjes derisa po shkruanin parulla në qytetin e Ferizajt. Kurse sot në mëngjes, në shtëpinë e tij në Prishtinë, u arrestua aktivisti Kushtrim Dakaj. Ndërkohë, Policia e Kosovës ka kërcënuar me arrestimin edhe të aktivistëve të tjerë, që morën pjesë dje në aksionin e heqjes së rrethojave shtesë të vendosura nga Qeveria. Po ashtu, mbrëmë në Gjilan, Policia ka kërcënuar aktivistët e Lëvizjes që nëse vazhdojnë shkrimin e parullave do të arrestohen.

Isa Mustafa nuk e ka ndërmend t’i ndalë masat e dhunshme. Të tilla masa janë aplikuar në Kosovë saherë që pushtetet e ndryshme kanë dashur të çojnë përpara projekte që janë në kundërshtim me vullnetin dhe interesin e popullit të Kosovës. Qeveria po e tensionon situatën me këto veprime, duke treguar që është në gjendje ta krijojë “Zajednicën” edhe nëse kjo kërkon ushtrim të dhunës dhe represionit mbi popullin e vet, thuhet në kumtesën për opinion të Vetëvendosjes, e cila publikon edhe listën e aktivistëve të saj të arrestuar.

Aktivistët e arrestuar janë:

– Dritëro Hyseni,
– Kushtrim Cakolli,
– Leotrim Cakolli,
– Labinot Halimi dhe
– Kushtrim Dakaj.