Apeli ia rrit dënimin me burg të akuzuarit që ka pranuar se luftoi në Siri përkrah ISIS-it

E publikuar: 14/05/2020 16:16
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Gjykata e Apelit ia ka ashpërsuar dënimin me burgim të akuzuarit për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste, Arijan Krujezi.

Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, më 10 janar 2020, të akuzuarin Krujezi e kishte dënuar me tre vjet e tetë muaj burg.

Mirëpo, pas shqyrtimit të ankesave të ushtruara nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) dhe ankesës së mbrojtësit, Apeli vendosi të aprovonte ankesën e prokurorisë, ndërsa atë të mbrojtjes e refuzoi si të pabazuar.

Në rrethana të tilla, Gjykata e Apelit mori vendim që të ndryshonte aktgjykimin e nxjerrë në shkallë të parë, ashtu që të akuzuarit Arijan Krujezi ia rriti dënimin në gjithsej katër vite e gjashtë muaj burg.

Gjykata e Apelit, në aktgjykimin e 6 marsit 2020, duke shqyrtuar çështjen përkitazi me vendimin mbi dënimin, konstatoi se gjykata e shkallës së parë ka mbivlerësuar rrethanat lehtësuese.

“Apeli ka vlerësuar se gjendja shëndetësore e të akuzuarit, se i njëjti ka pësuar lëndime në kokë nga rënia në fusha të minuara në vend luftim në Siri, nuk mund të merret rrethanë lehtësuese, ngase siç përshkruhet në përshkrimin e gjendjes faktike, i akuzuari përkundër lëndimit të rëndë, pas shërimit, sërish është aktivizuar në Policinë Ushtarake të ISIS-it”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.

Andaj, sipas Apelit, kjo rrethanë e lartpërmendur konsiderohet rënduese në matjen e dënimit dhe se ankesa e Prokurorisë Speciale, lidhur me pretendimin e pjesëmarrjes aktive të të akuzuarit në kryerjen e veprës penale, është e bazuar.

Apeli ka arsyetuar se dënimi me burg prej katër vite e gjashtë muaj do të shërbej për arritjen e qëllimit të dënimit, në pengimin e të akuzuarit në kryerjen e veprave penale në të ardhmen dhe do të ndikoj në preventivën e përgjithshme.

Në fund, Apeli ka vendosur se në dënimin e shqiptuar do të llogaritet edhe koha kur i akuzuari është arrestuar nga Forcat Demokratike Siriane, më 27 dhjetor 2017, e deri më 19 prill 2019 kur është riatdhesuar në Kosovë, sikurse edhe koha e kaluar në paraburgim në Kosovë lidhur me këtë procedurë penale, nga data 20 prill 2019 e tutje.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 10 janar 2020, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin për terrorizëm Arijan Krujezi, duke e dënuar me tre vite e tetë muaj burgim, pasi ai në seancën fillestare të 8 janarit ishte deklaruar fajtor për këtë vepër penale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, Arian Krujezi, akuzohet se në kohë të pavërtetuar të muajit korrik të vitit 2014, me paramendim dhe dashje, me qëllim që t’i bashkëngjitet organizatave terroriste ISIS në Siri, ka lëshuar territorin e Kosovës, duke udhëtuar për në Stamboll, përmes aeroportit “Adem Jashari”.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Krujezi, me një linjë tjetër të autobusit kishte arritur në qytetit Gazientep të Turqisë dhe sipas udhëzimeve të ISIS, kishte kaluar kufirin në këmbë për të arritur në qytetin Raqa të Sirisë.

Më pas, sipas aktakuzës, Ai është regjistruar në ISIS dhe kishte vijuar trajnimet taktike dhe luftarake me armë të zjarrit, duke marrë pjesë aktive në luftërat e Sirisë, si anëtar i batalionit “Abu Musab Zarqaëi” dhe pastaj në “Umar Hattab” në Damask të Sirisë.

Gjithmonë sipas aktakuzës, në pranverë të vitit 2016, i akuzuari Krujezi, gjatë një sulmi në aeroportin ushtarak, “AL – DAMAY”, derisa ishte në automjet me pjesëtarë të tjerë të ISIS, kanë hasur në një minë tokësore, ku është plagosur rëndë në kokë dhe pas katër muajsh qëndrimi në spital, i njëjti është aktivizuar në policinë ushtarake të ISIS.

Në aktakuzë thuhet se më 29 dhjetor 2017, i akuzuar Krujezi, është arrestuar nga forcat demokratike siriane ku ka qëndruar deri më 19 prill 2019, me ç’rast edhe është riatdhesuar në Kosovë.

Për këto veprime, Prokuroria Speciale të akuzuarin Arian Krujezi e ka ngarkuar me veprën penale, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.