Analistët skeptikë për qeverinë teknike, nuk ka të ardhme

E publikuar: 30/08/2017 14:53
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nënkryetari i Aleanca Kosova e Re, Agim Bahtiri ka propozuar që në Kosovë ta krijohet një qeveriteknike si pasojë e krizës institucionale që ka kapluar vendin. Sipas tij, AKR ka propozuar formimin e një Qeverie teknike me mandat dyvjeçar dhe më pas vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Ai madje u ka bërë thirrje drejtuesve të partive politike parlamentare që të ulen e të bisedojnë në këtë drejtim, në mënyrë që të arrihet marrëveshja dhe më pas të ftohet seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës.

Por, analistët janë të ndarë në opinionet e tyre nëse kjo do të ishte zgjidhja më e mirë për Kosovën. Analisti politik Bajrush Morina është shprehur për albeu.com se tashmë ka humbur besimi në popull ndaj politikanëve, ndërsa analisti tjetër Ramush Tahiri thotë se kjo mund të ishte një zgjidhje e duhur por me disa kushte. Kurse analisti Shemsi Jashari ka nënvizuar se kjo qeveri i shërben vetëm Pacollit.

“Vendi ynë gjendet në një situatë të një “qeverisje teknike”. Pra nuk kemi Kuvend të konstituuar, nuk kemi qeveri të plotëfuqishme…kemi vetëm një president të kontestuar. Në një situatë të tillë asnjë qeveri tjetër teknike, teknokrate, qeveri ekspertësh, qeveri e përkohshme nuk do të ishte zgjidhja më e mirë për vendin.” Ka thënë Morina për albeu.com.

Sipas tij ne jemi në dekadën e dytë pas lufte dhe ende nuk jemi të zot të formojmë institucione të qëndrueshme dhe kredibile dhe kjo për faktin se kemi liderë e parti politike, kapricioze, të papërgjegjshëm për vendin dhe të kapur nga lakmia për pushtet.

Morina më tej ka shtuar se nuk i beson më kësaj kaste politike dhe se ka frikë se e ardhmja e vendit, e fëmijve të tij që është e paqartë, madje shumë e pashpresë.

Ai në fund thotë se për këtë arsye qeveria teknike nuk rikthen shpresën e vendit, por ajo e vazhdon agoninë.”

Kurse Analisti politik Ramush Tahiri në një pronocim për Albeu.com qeverinë teknike e sheh si një mundësi të mirë për çuarjen përpara të proceseve integruese dhe çështjeve madhore. Ai thotë se në krizën që ka kapluar vendin dhe meqënse se as PAN nuk po mundet t’i kontrabandojë votat atëherë një qeveri teknike me afat 1 vjeçar ose më së shumti me afat 2 vjeçar mund të bëjë edhe ndryshimet kushtetuese në sistemin zgjedhor.

Por Tahiri për formimin e kësaj qeverie teknike mendon se duhet të ketë disa kritere, s’i përfaqësuesit e saj nuk duhet të jenë të ekspozuar politikisht dhe të jenë specialistë. Sipas tij, këto kritere do të jenë baza që Kosova të dalë nga kriza për arsyen se pjestarët e saj duke mos qenë të ekspozuar politikisht nuk do të jenë me të kaluar të dyshimtë si shumica e politikanëve dhe në këtë rast roli i kuvendit do të jetë vetëm miratues.

Edhe analisti politik dhe përfaqësuesi i shoqërisë civile Shemsi Jashari mendon se ideja për qeveri teknike është e padobishme, nuk i duhet Kosovës dhe nuk ndihmon proceset integruese të vendit . Kjo sipas tij për faktin se inatet të cilat janë duke zvarritur formimin e institucioneve do të mbajnë peng edhe rezultatet e mundëshme të qeverisë teknike.

“ Ideja për qeveri teknike për me tepër i shërben vetëm faktorizimit të z.Pacollit i cili i pari e ka kërkuar këtë dhe me çdo kusht po kërkon faktorizim, duke shfrytëzuar pozicionin prej qelësi për formim të institucioneve. Krijimi i një praktike të bllokimit dhe mosnjohjës së rezultateve zgjedhore, refuzimi për bashkëqeverisje pas zgjedhjeve, me motive inatesh për individ nuk i shërben demokracisë dhe as qytetarit.” thotë Jashari.

Ende nuk ka një datë se kur do të mblidhet Kuvendi për të formuar institucionet e vendit. Koalicioni PAN vazhdimisht ka deklaruar se i ka siguruar votat për qeverinë e re por vazhdimisht ka kërkuar shtyrjen e votimit të kryetarit të kuevndit.