Ambasadori Hofman: Ja se cila është rruga për të qëndruar në Gjermani

E publikuar: 21/04/2015 09:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasadori gjerman Helmut Hofmann tregoi në emisionin ‘Shqip’ në Top Channel rrugën e vetme se si një shqiptar mund të vendoset në vendin e tij.
Gjermania, tha ambasadori gjerman, nuk ka nevojë për emigrantë ekonomikë.
“Nëse dikush ka një kualifikim të caktuar që mund ta vërtetojë, mund të shkojë në Gjermani dhe atje ka 3 muaj kohë sa janë edhe afatet e lëvizjes së lirë, dhe atje të takojë një punëdhënës dhe më pas të rikthehet në Shqipëri dhe të aplikojë në Ambasadën Gjermane. Ne do të dërgojmë dosjen sërish në Gjermani dhe nëse do të miratohet atëherë gjithçka është në rregull. Thirrja ime për të gjithë, që të jenë të qartë që kjo nuk është rruga e duhur. Mendoj që është shumë e rëndësishme që për këtë çështje faji të mos kërkohet diku gjetkë, por tek vetvetja”, deklaroi ambasadori gjerman.
Shifrat e shqiptarëve që kanë aplikuar për azil ekonomik në Gjermani kanë ardhur në rritje, sidomos muajt e fundit. Këtë e konfirmoi edhe ambasadori Hoffmann.
“Është një zhvillim dramatik, jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë rajonin në vendet e Ballkanit Perëndimor. Sa i përket Shqipërisë shifrat janë rritur në mënyrë dramatike që prej fundit të 2013-ës. Në 2014 kemi patur diçka më pak se 8 mijë shqiptarë, kemi patur nga Kosova dhe Maqedonia. Vetëm në mars të këtij viti kemi patur rreth 3 mijë aplikantë. Në total janë 36 mijë persona vetëm nga Shqipëria”, tha Hoffmann. /lapsi.al/