Ajax fitore e vuajtur 2-1 me Groningen

E publikuar: 14/02/2016 15:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ajax përmbushi pritshmërite duke fituar 2-1 në transfertë ndaj Groningenit, që nuk arriti të hyjë për momentin në zonën europiane pas disfatës së pësuar në shtëpi nga harkëtarët. Ekipi kryeqytetas fitoi ndeshjen në pjesën e dytë, pas një fraksioni të parë ku vendasit u shfaqën shumë më tepër agresivë, gjithsesi përvoja e futbollistëve të Frand De Boer bëri të sajën, me El Ghazin që në të 59-tën i dha epërsinë të tijve duke treguar se jo më kotë është emri më i lakuar në merkaton e këtij klubit.

10 minuta më pas Ajax shënoi dhe golin e sigurisë me anë të Lasse Schones që nuk fali nga pika e bardhë.

Dalja me të kuq e Van Der Hoorn në të 71-tën kushtëzoi lojën e Ajax që u tërhoq në mbrojtje të rezultatit. Groningen arriti të shkurtojë diferencën me anë të Hosen, por finalizimi i tij erdhi shumë vonë për të ndryshuar përfundimin e kësaj sfide, që shkoi në favor të Ajax.