Ahmeti: I prekuri me koronavirus në Janjevë pa e ditur se ishte i infektuar, ka marrë pjesë nëpër ndeja

E publikuar: 20/03/2020 00:21
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Lipjanit dhe nënkryetari i LDK-së, Imri Ahmeti, në Interaktiv ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka edhe pak kohë që të reflektojë.

Ai ka theksuar se kërkesat e LDK-së janë të qarta, heqja e menjëhershme e taksës dhe kthimi i Agim Veliut në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas tij kjo që po ndodh është në dëm të zhvillimeve dhe dëm të shoqërisë në përgjithësi.

“Mendoj se menaxheri i mirë duhet të kujdeset për të gjithë dhe aranzhojë punët që të mos pëlcasin si kështu. S’do të doja me e personalizuar çështjen e Agim Veliut, mendoj se duhet të ketë rregulla dhe parime mbi bazën e së cilave duhet të veprohet, e këto s’do të duhej të thyheshin”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij Kurti s’ka pasur nevojë të krijojë një situatë të tillë.

“Padrejtësisht e ka prodhuar një situatë të tillë qeveria, Kurti apo sido që doni i themi, dhe kemi ardhë në një situatë ku është pamundësuar edhe për shkak të raporteve me SHBA-në, dhe të mos vijmë në situatë t’i humbim këta miq. Duket që e ka qitë benzin në zjarr, e rastin e Agimit e ka pasur të panevojshëm. Kjo metodë e punës ka qenë e papranueshme dhe është e papranueshme për LDK-në. Nuk mendoj se ka qenë determinuese një deklaratë e Veliut, në fakt është pretekst, pasi ky projeksion ka një qëllim më të thellë”, ka thënë Ahmeti.

Sipas tij vetëm pas plotësimit të kërkesave të LDK-së do të mund të ktheheshin gjërat në normalitet dhe të diskutonin më pas për qeverisjen.

“Nuk e di çfarë mund të ndodhë, por mendoj se tash kemi hyrë në një axhendë të tillë, dhe Kurti ka edhe pak hapësirë nëse dëshiron të refklektojë nëse do të stabilizojë situatën. Kërkesat e LDK-së janë të qarta: heqja e taksës, dhe kthimi i Veliut e pastaj mund të ulemi të bëjmë muhabetet për një qeverisje të mundshme”, ka thënë ai.

Ahmeti pret që mocionit të mosbesimit t’i bashkohet e gjithë opozita.

“Mocionit për rrëzimin e qeverisë gjithmonë i janë bashkuar të gjithë opozitarët dhe nuk do të ishte çudi që edhe tani t’i bashkohen të gjithë. Mendoj se momentumi kërkon një bazë sa më të gjerë, për shkak të sfidave që e presin vendin tonë. Nuk do të ketë mundësi të hyhet në qeveri nëse nuk hiqet dorë nga tarifa, sepse kjo është kërkesë e SHBA-së. Vendosja e reciprocitetit nuk është një akt i menjëhershëm, por gradual dhe LDK-ja ka kërkuar që vendosja e reciprocitetit të vendoset hap pas hapi”, u shpreh Ahmeti.

Ai thotë se nuk e di se me cilat parti do të bashkëpunojnë në fazën tjetër.

“Nuk do të duhej të ndihej askush mirë që kemi ardhë në këtë situatë, por diçka mendoj se ka ndodhur pa fajin e LDK-së. Nuk e kam idenë me cilën parti do të bashkëpunojmë, por fakti se Kryesia e përjashton mundësinë që të hyhet në koalicion me PDK-në”, ka thënë Ahmeti.

23:56
Ahmeti: I prekuri me koronavirus në Janjevë pa e ditur se ishte i infektuar, ka marrë pjesë nëpër ndeja

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, duke folur për prekjen e një qytetari të komunës së Lipjanit me koronavirus, ka thënë se Lipjani nuk është imun dhe se nuk ka mundur të shpëtonte pa ndonjë rast.

Ai thotë se i infektuari është një qytetar i cili është kthyer nga Berlini.

Ahmeti ka thënë se ai është testuar edhe ditën e parë kur ka ardhur por nuk ka pasur simptoma, ndërkaq sot pas testimit është konfirmuar se është prekur nga pandemia Covid-19.

Ai thotë se i njëjti ka lëvizur nëpër fshatin ku banon, nëpër restorante dhe ndeja të ndryshme.

“Nuk kem mjete tjera përveç që qytetarët të lajmërojnë raste të tilla dhe njerëzit të respektojnë masën e vetizolimit. Ka shqetësime tek banorët e Janjevës sepse ka pasur kontakte dhe komunikim me njerëz të tjerë dhe të nijetit ndihen të rrezikuar. Këshilla ime është që të gjithë që kthehen nga jashtë të vetizolohen që të mos rrezikohet shëndeti i të tjerëve”, ka thënë ai.

Ahmeti përmes një lidhje direkte në Interaktiv të KTV-së ka thënë se është e pamundur të kontrollohen të gjithë qytetarët, por shton se ata duhet vetë të kujdesën.

Ai tutje ka thënë se që nga fillimi Lipjani ka dezinfektuar objektet publike, autobusët, stacionet, objektet sportive e rrugët.

Sipas tij, është pajisur edhe stafi mjekësor me mjetet e nevojshme mbrojtëse.

“Unë mendoj që masat në Lipjan po respektohen, një pjesë e madhe e qytetarëve nuk po lëvizin, megjithatë jo në masën e dëshirueshme. Fjalën e kam për njerëzit të cilët janë kthyer në Kosovë. Këto familje duhet ta kursejnë shëndetin e të gjithë neve”, ka thënë ai.

Sipas tij, kapacitetet e institucioneve të komunës nuk janë shfrytëzuar ende.

Ai ka thënë se nëse ka informacione se do të ketë përhapje më të madhe të virusit, atëherë vendi duhet të shkojë në gjendje të jashtëzakonshme./koha.net/