Ahmeti flet për gjendjen e COVID-19 në Prishtinë dhe mbylljen e çerdheve, testohen 100 persona

E publikuar: 08/06/2020 15:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një konferencë për media ka dhënë detaje të reja rreth personave të infektuar me coronavirus në kryeqytet.

Ahmeti ka thënë se që nga fillimi i pandemisë e deri tani në Prishtinë janë konfirmuar 106 raste, ku janë regjistruar dy vdekje ndërsa vazhdojnë të jenë aktiv me COVID-19 edhe 31 persona, transmeton telegrafi.

“Kemi prit që do të këtë rritje të rasteve pas karantinës por ideja është që kjo të jetë e kontrolluar dhe të mos kthehemi në masa të kufizimit si më herët. 10 rastet e fundit kanë të bëjnë vetëm nga një person, ka punuar në një organizatë, e fëmijët e tij kanë qenë në dy çerdhe. Nesër do të testohen fëmijët e dy klasëve të çerdheve”, ka thënë ai para mediave.
Tutje, ai ka deklaruar se janë duke punuar që të kufizohet përhapja e coronavirusit.

“Mbi 100 persona janë testuar. Po ashtu një çerdhe e kemi mbyllë, për shkak se burri i një edukatore ka dal pozitiv në COVID-19, është testuar edhe edukatorja pra në çerdhen Xixëllonja. Nuk ka vend për panik por duhet të jemi të kujdesshëm. Po mundohemi ta kontrollojmë përhapjen e coronavirusit”, ka pohuar ai.

I pari i Prishtinës, ka thënë se qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të respektojnë masat ndaj pandemisë COVID-19.