Agjencia e Privatizimit e quan uzurpatore Partinë Demokratike të Kosovës

E publikuar: 04/03/2016 19:25
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nisma e kryeparlamentarit Kadri Veseli për të bërë transparente Agjencinë Kosovare të Privatizimit ka zbuluar një fakt të padëshirueshëm për të. Në listën e uzurpatorëve të përpiluar nga AKP-ja figuron edhe Partia Demokratike e Kosovës, që pas dorëheqjes së Hashim Thaçit udhëhiqet nga Kadri Veseli.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas të dhënave të AKP-së, llogaritet si uzurpatore e pronës shoqërore deri në vitin 2010.

Bazuar në të dhënat e kësaj agjencie, PDK-ja kishte uzurpuar objektin ku gjendet selia e saj që i përkiste ndërmarrjes shoqërore “Drithnaja”.

Ky fakt është bërë i ditur sot nga Agjencia e Privatizimit që publikoi dy lista të blerësve të ndërmarrje shoqërore.

Njëra prej listave përmban emrat e blerësve të ndërmarrjeve shoqërore që kishin qenë të uzurpuara deri në procesin e privatizimit. Ndërsa tjetra përmban emrat e blerësve të ndërmarrjeve që nuk kishin qenë të uzurpuara.

PDK-ja figuron në listën e parë.

Objekti prej 460 metrash katrorë, bazuar në këtë listë, është shitur në vitin 2010, në valën e 44-të të privatizimit.

Në listën e publikuar nga Agjencia e Privatizimit shënohet se objekti është blerë nga Burim Marmullaku për një shumë prej  371 mijë e 111 euro. Emri i PDK-së figuron tek kolona “Emri i uzurpatorit deri në ditën e shitjes”.

Basri Musmurati, sekretar i PDK-së, i kontaktuar nga Insajderi, e vlerësoi të paqëndrueshëm konstatimin e AKP-së që e quan uzurpatore partinë më të votuar në vend.

“Lej këto përralla”, deklaroi Musmurati. Shtoi se objekti tashmë është privatizuar dhe se PDK-ja po paguan më shtrenjtë qira në krahasim me periudhën e para privatizimit.

Ai mbylli telefonin kur u pyet se kujt i paguante qira PDK-ja para vitit 2010.

Lidhur me privatizimin e objektit ku gjendet selia e PDK-së, kishte raportuar Gazeta Zëri në janar të këtij viti.

Objekti ishte privatizuar më 7 korrik 2010 dhe  kishte pasur tri oferta për blerjen e tij.

Fillimisht fitues në tenderë ishte shpallur biznesmeni Hashim Deshishku, deputet i LDK-së.

Ai kishte ofruar 550 mijë euro për blerjen e këtij objekti. Ishte tërhequr.

“Është e vërtetë se ‘Lesna’ e ka fituar atë pjesë, më pas jam tërhequr…, besoni arsye për tërheqje kam pasur”, kishte deklaruar Deshishku për Zërin.

Gazeta pati raportuar se pas tërheqjes së Deshishkut fitues ishte shpallur oferta e kompani “Guri”, nga Klina në pronësi të Burim Marmullakut. Blerësi i këtij objekti është vëllai i gruas së Sokol Bashotës.

“E kemi privatizuar ne. PDK-ja më paguan qira mujore rreth 1800 euro. Për detaje rreth kontratës mund të shkoni në PDK, ju tregojnë ata”, pati deklaruar Marmullaku.

/Insajderi.com/