Abdixhiku: Me kontrabandë kjo bandë provon të nisë shpëtimin e vetes e theqafjen e shtetit

E publikuar: 22/07/2017 12:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i zgjedhur i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar në lidhje me diskutimet rreth mundësisë që Teuta Rugova të votojë për PAN-in.

“Oportunistë, kontrabandistë, kapës e shërbëtorë të tyre, janë bërë bashkë për të ndërtuar “shpresën” e Republikës. Me kontrabandë, kjo bandë, provon të nisë rrugëtimin politik, shpëtimin e vetes – theqafjen e shtetit”, ka shkruar ai.

“Në këtë rrugëtim ata asistohen nga Presidenti i vendit. Herë me takime të kafehaneve me ndërmjetësues mercenarizmi, herë me tryeza të kota e jokushtetuese për blerje kohe”, ka shtuar më tej.

Abdixhiku ka thënë se në vend të skuqjes e kokëuljes, këta, gjithë bashkë, na dalin pa fije marre me thirrje e mburrje për kontrabandime.

“E bëjnë shitblerjen krejt të zakonshme; tradhtinë vlerë e mercenarizmin ‘interes shteti’. Shihni çfarë modeli u japin qytetarëve tanë. Këtë model, LDK nuk e pranon. E refuzon. Sot të mbeteni të sigurt me qëndrimin tonë politik. I pandryshueshëm dhe pikë. S’ulemi, s’bisedojmë, s’bashkëpunojmë me PAN-in”, ka thënë ai.

“Mbi të gjitha, sot të mbeteni të sigurt se ju po e rifitoni Lidhjen. Atë kredibilen, të qytetarit, të Republikës. Mësohuni me një LDK kështu. Rikthimi ynë ka nisë tashmë. E s’ka propagandë, s’ka mercenarë, s’ka tradhti e s’ka as bandë që mund të na ndalë nga ky rikthim”.