Abdixhiku: Franca s’ka nevojë për paratë e Kosovës – Qeveria po shitet “franquz”

E publikuar: 17/04/2019 13:23
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka kundërshtuar një propozim të Kryeministrit Ramush Haradinaj që edhe Kosova të jap kontribut në rindërtimin e Katedrales Notre Dame në Paris që u dogj dy ditë më parë.

“Franca nuk ka nevojë për paratë e Kosovës; as si substancë e as si simbolikë. Për Notre Dame janë mbledhur mbi 1 miliardë euro tashmë”, ka shkruar ai në Facebook, transmeton Klan Kosova.

Ai ka thënë se për mjete kanë nevojë qytetarët e Kosovës të cilët janë në halle.

“Për paratë e Kosovës nevojë kanë ato dy vajza – njëra 2 vjeçe e tjetra 18 – fotot dhe lutjet e së cilave për ndihmë na shpërndahen gjithandej”.

“Për këto para nevojë kanë dhe ato spitale që kërkojnë dorëza sterile para secilës lindje. Për këto para – dhe shumë më shumë – nevojë kanë hallgjorët e Kosovës, qeveria e së cilëve ka vendosur të shitet “franquz””.