AAK: Kriza politike e Qeverisë, nuk zgjidhet me polici

E publikuar: 30/11/2015 15:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se veprimet e sotshme të pushtetit janë shkelje e rëndë e demokracisë dhe vendosje e sistemit policor.

Sipas AAK-së, kriza politike në vend është shkaktuar nga Qeveria e Kosovës dhe ajo nuk mund të zgjidhet me polici e as me masa tjera represive, por vetëm me mjete politike.

“Përjashtimi i opozitës nga Kuvendi, burgosja në masë e deputetëve, dhunimi i tyre nga policia, invadimi dhe demolimi i zyrave të partive opozitare, e masa të tjera të ngjashme, janë të papara për botën demokratike dhe këto nuk do të mund të kalojnë pa u ndëshkuar”, thuhet në reagimin e AAK-së.

Më tej në reagimin e partisë së dytë opozitare në vend thuhet se pushteti e ka humbur rrugën dhe po e çon vendin në diktaturë. “Po shihet se ky pushtet nuk mund të mbahet ndryshe përpos me polici, por ai do të përfundojë me turp”.

Në fund të reagimit AAK shprehet se nuk do të heqë dorë nga kauza e saj, pavarësisht, siç thotë ajo, dhunës së tmerrshme që po bëhet kundër saj.

“Ne si AAK dhe pjesë e Opozitës së Bashkuar, ftojmë botën demokratike, shtetet mike të Kosovës, shoqërinë civile, opinionin publik, intelektualët e Kosovës dhe të gjithë ata që e duan një Kosovë unitare, që të vihen në mbrojtje të saj dhe kundër këtij pushteti policor!”, përfundon reagimi i AAK-së.