A do ta njohë Serbia pasaportën e Kosovës pas arritjes së marrëveshjes për linjën ajrore?

E publikuar: 22/01/2020 14:29
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për linjën ajrore Prishtinë-Beograd.

Në ambasadën amerikane në Berlin të Gjermanisë, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar marrëveshje për linjën ajrore Prishtinë-Beograd.

Mirëpo, pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, mbetet pikëpyetje edhe për qytetarët se a do t’i njohë Serbia tash pasaportën e Kosovës.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas mbledhjes së Qeverisë në largim, ka thënë se për këtë do të gjendet një zgjidhje, ashtu siç ka ndodhur në shtetet të cilat nuk e kanë njohur Kosovën dhe pasaportën e saj, raporton lajmi.net.

“ Mendoj se fakti se është linjë ajrore i bën disa ndryshime në regjimin që ka ekzistu në mes të Kosovës dhe Serbisë për udhëtim, është fakt i ditur se qindra mijëra qytetarë tonë kalojnë nëpër Serbi, ka pas një regjim të udhëtimit, mendoj se kjo linja ajrore e implikon pak më shumë, po është ende herët ta shpallim ndonjë fitore të caktume, mendoj ndonjë të ardhme ta gjejmë ndonjë zgjidhje si ajo me Sllovakinë, me Greqinë, me vendet tjera që se kanë njohur Kosovën, po mund të njihen dokumentet e Kosovës në këtë rast pasaporta. Nuk dua të deklarohem më shumë sepse merr kohë deri te hyrja në fuqi e kësaj marrëveshje. E lë të hapur, por nuk mund të precizoj tash. S’ka marrëveshje në kuptimin që nuk ka ndodhur Kosovë-Serbi. Ne e kemi dërguar një letër në parametrin që të ndodhë një linjë ajrore që të ndodh Prishtinë-Beograd. Këtë të arritur nuk e kemi arritur pa ndihmën e ambasadorit Grenell dhe të tjerëve që kanë qenë të kyçur. Por mos harroni se është hap përpara për Kosovën dhe jo hap prapa”, deklaroi ndër të tjera Haradinaj.