Dy takime të krerëve të shtetit për t’i lënë të përçarë rreth taksës

E publikuar: 31/01/2019 22:32
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kanë vazhduar edhe gjatë ditës së sotme takimet e krerëve të koalicionit qeverisës. Taksa, është ajo që po i mbledh këta politikanë të ulen së bashku në një tavolinë, por, pa asnjë rezultat. Burime të Koha.net në PDK, kanë thënë se është vënë ultimatum që taksa të hiqet deri ditën e hënë, por këtë e mohuan menjëherë nga kryeministria.

Ambasadori amerikan Philip Kosnett, në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se kanë rezistuar që të japin ndonjë afat të fundit kohor, siç thotë ai, “sepse nuk po përpiqemi që ta urdhërojmë Qeverinë e Kosovës, por fuqimisht besojmë se heqja – e them sërish, pezullimi i përkohshëm i taksës sa më shpejt që është e mundur, do ta shtyjë këtë proces përpara”.

Derisa kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, këmbëngul që taksa s’do të hiqet, e e ka përkrahjen e Nismës Socialdemokrate, është kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, që kërkon të pezullohet taksa.

Në mëngjesin e ditës së sotme, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë zhvilluar një takim me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett. Takimi në mëngjes u mbajt në zyrën e presidentit. Kjo, madje edhe ishte hera e parë pas një kohe të gjatë që u takuan Thaçi e Haradinaj. Por, me të përfunduar takimi me Kosnettin, krerët e koalicionit qeverisës bashkë me Thaçin, e vazhduan takimin pa të. Si shpeshherë, ata s’u deklaruan për media, por më vonë thanë se takimi është i zakonshëm, e presidenti Thaçi, tha se raportet me SHBA-në s’do të prishen, raporton Koha.net.

Ndërkaq, ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në një intervistë ekskluzive për Interaktiv të KTV-së, tha se ishte një takim shumë i dobishëm, konstruktiv dhe i sinqertë.

“Nëse më lejoni, të kthehem pak prapa. Dëshiroj t’ua përkujtoj shikuesve tuaj se çka duan Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën. Çka duam për Kosovën dhe për vendet e tjera të rajonit është paqja, prosperiteti dhe drejtësia. Gjatë 20 viteve të fundit, mendoj se është e drejtë të thuhet, që SHBA-ja ka bërë më shumë se çdo vend tjetër për të mbështetur miqtë tanë kosovarë në ndërtimin e një vendi të ri, në ndërtimin e demokracisë, ndërtimin e institucioneve të sundimit të ligjit, për të mbështetur kërkimin e Kosovën për siguri”, ka thënë Kosnett.

E në orët e vona të mbrëmjes, përsëri u mblodhën krerët e koalicionit qeverisës në Presidencë. As kur dolën nga aty, për të vazhduar më pas në Qeveri, nuk dhanë deklarata për media se çka po ndodhë. U bë e ditur, se në takim mori pjesë edhe ambasadori francez Didier Chabert.

Nga aty, takimi vazhdoi në Qeveri. Të pranishëm ishin edhe bashkëkryesuesit e dialogut Shpend Ahmeti e Fatmir Limaj. Ky i fundit, kur u pyet nga mediat se çka po zhvillohet e po bisedohet në këto takime, shkurtimisht tha se “nuk ka kurrgjë”.

Kujtojmë se kjo është dita e katërt që kur kanë nisur përplasjet e mospajtimet rreth koalicionit qeverisës në lidhje me taksën.