21-vjeçarja rrëfen në OKB tmerrin e ISIS: Më përdhunuan në grup derisa humba ndjenjat (VIDEO)

E publikuar: 19/12/2015 18:07
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Përpara Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, një vajzë e komunitetit jazidi ka rrëfyer tmerrin e tre muajve si skllave seksi e ISIS.

Nadia Murad Basee Taha tregoi me persekutimin e jazidëve nga Shteti Islamik dhe torturat që ka përjetuar.

Ajo u rrëmbye në gusht të vitit 2014 në fshatin e saj në një provincë të Irakut dhe më pas u dërgua me autobus në Mosul. Pas tre muajsh ajo arriti të arratisej dhe t’i shpëtonte torturave të ISIS, por vëllëzërit e saj janë vrarë nga ekstremistët.

Tani 21-vjecarja jeton në Gjermani. Më poshtë një pjesë nga rrëfimi i saj prekës.
“Gjatë rrugës, na poshtëronin. Na preknin dhe na dhunonin. Na dërguan në Mosul. Ishim më shumë se 150 familje jazidi. Kishte qindra gra e fëmijë mes nesh, që shkëmbeheshin si dhurata. Një prej këtyre njerëzve erdhi tek unë. Donte të më merrte. Ula Kokan. Isha e tmerruar. Kur e ngrita, pashë një burrë të madh. Dukej si monstër.
Qava, qava, i thashë: Jam shumë e re, ti je kaq i madh. Më goditi. Pak minuta më vonë, një tjetër burrë erdhi tek unë. Sërish e kisha kokën e ulur. Kur e ngrita, pashë një burrë më të vogël në trup. Iu luta që të më merrte. Isha kaq e tmerruar nga burri i parë.
Burri që më mori më kërkoi të ndërroj fenë. Refuzova. Më pas më kërkoi dorën për martesë.
Atë natë më rrahu. Më kërkoi të hiqja rrobat. Më vendosi në një dhomë me rojet dhe ata nisën të më përdhunojnë derisa humba ndjenjat.
Përdhunimi përdoret për të shkatërruar femrat dhe për të garantuar që ato nuk do kenë më një jetë normale.
Unë ju përgjërohem: Zhdukeni Daesh-in (ISIS)”, ka thënë Nadia.
Një ditë më parë Këshilli i Sigurimit në OKB miratoi një rezolutë në mbështetje të paqes për t’i dhënë fund luftës pesëvjeçare në Siri. /LAPSI.AL/