Mbrojtja kërkon dëshmi të bankënotave të konfiskuara në rastin e prokurores Badivuku

E publikuar: 11/02/2016 16:26
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Shqyrtimi gjyqësor kundër Vahide Badivukut, Idriz Kelmendit dhe Isak Smakollit ka vazhduar të enjtën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku janë ballafaquar prokurori special Admir Shala dhe mbrojtja e të akuzuarëve.

Vahide Badivuku, Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli, akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se më 17 nëntor 2015 kanë kryer veprat penale: marrja e ryshfetit, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe ushtrimi i ndikimit.

Në seancën e së enjtës, mbrojtësja e Vahide Badivukut, avokatja Albana Kelmendi, ka kërkuar nga Prokuroria ndonjë provë apo dëshmi-fotografi lidhur me banknotat e konfiskuara në Merdarë, ndërsa avokati Besnik Berisha ka kërkuar që mbrojtjes t’i mundësohet ditari i listës së fajdeve i dorëzuar vullnetarisht nga i akuzuari Isak Smakolli si dhe ka kërkuar t’i sigurohen nga ana e Prokurorisë deklaratat e personave që janë marrë në pyetje në procedurën paraprake, dhe pas leximit të të njëjtave mbrojtja ka rezervuar të drejtën që të propozojë dëshmitarë të ri.

Prokurori Shala propozimin e avokates Kelmendi e cilësoi si kërkesë-dëshirë sepse sipas tij akuza posedon dy prova thelbësore sa u përket banknotave, të cilat ishin konfiskuar në përputhje me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale të Kosovës.

“Është vërtetimi mbi sekuestrim të banknotave të gjetura në vende të fshehura të prokurorja dhe vetë Vahide Badivuku e ka nënshkruar vërtetimin mbi sekuestrim me çka ka vërtetuar banknotat që ka pasur në posedim”, tha Shala.

Ndërkaq, sa i përket kërkesës së avokatit Berisha, prokuroria tha se ka një keqkuptim lidhur me provën që ka kërkuar avokati Besnik Berisha, sepse sipas tij, nuk bëhet fjalë për një ditar të fajdeve, por një faqe të fletorës ku shkruan vetëm “Isak Makolli – 4000 euro”.

Seanca e ardhshme lidhur me këtë lëndë u caktua për datën 1 Mars, ku do të vazhdohet me leximin e provave dhe dëgjimin e të akuzuarve./betimiperdrejtesi/