126 vite burg për 9 xhihadistët e akuzuar për terrorizëm (Video)

E publikuar: 03/05/2016 20:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Nën një klimë me thirrje “Allahu Akbar”, Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtorë të 9 të pandehurit e procesit “Imamët”, duke dhënë për ta 126 vite burgim në total. Tre të akuzuarit kryesorë, nën akuzë për rekrutim të personave për qëllime terroriste, financim dhe thirrje e nxitje të urrejtjes fetare, morën së bashku 52 vite heqje lirie.

Ish-imami i xhamisë në “Unazën e Re”, Genci Balla u shpall fajtor dhe u dënua me 18 vite burg; ish-imami i Yzberishtit, Bujar Hysa u dënua me 18 vite burgim; ndërsa ish-imami i Cërrikut, Ferit Pashja me 17 vite heqje lirie.

Gjyqtarja Liljana Baku paralajmëroi mbështetësit e të pandehurve, që të mos lëshonin thirrje në gjykatë, në të kundërt ata do të nxirreshin nga salla. Dënimi më i ulët u vendos për Astrit Tolën, i cili mori pafajësinë për rekrutim të shtetasve shqiptarë, për shkak të mungesës së provës. Ai u konsiderua fajtor dhe u dënua me 7 vite burgim, për nxitje të urrejtjes fetare.

Gjykata e Krimeve të Rënda e dha vendimin në orën 20:30, pasi qëndroi në dhomë këshillimi për 3 orë dhe urdhëroi që 9 të akuzuarit ta vuajnë mungesën e lirisë në burgje të sigurisë së lartë.

Po ashtu u urdhërua që ata të paguajnë shpenzimet proceduriale të procesit, i cili zgjati gati 50 seanca, ndërkohë që u konsideruan të konfiskuara armët e sekuestruara njërit prej të pandehurve.

Gjatë pretencës, Prokuroria kishte kërkuar më herët 152 vite burg në total për të gjithë të akuzuarit, që sipas organit të akuzës indoktrinonin besimtarët në dy xhami në kryeqytet, për t’i dërguar për luftime në Siri përkrah ISIS-it, e konsideruar si organizatë terroriste.

Dënimet:

13 vite për Verdi Moravën,
18 vite për Bujar Hysën,
17 vite për Genci Ballën,
17 vite për Gerti Pashja,
13 vite për Orion Reçin,
12 vite për Fadil Muslimanin,
7 vite për Astrit Tolën,
13 vite për Edmond Ballën dhe
16 vite heqje lirie për Zeqir Imerin.

/ Top Channel