Politikanë serbë fajësojnë shqiptarët për mospajtimin ndërnacional

E publikuar: 03/09/2015 19:19
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Pajtimi mes shqiptarëve dhe serbëve vështirë se mund të ndodhë pa u tejkaluar problemet politike, raporton KTV.
Njohja e Kosovës nga Serbia dhe pranimi i realitetit të ri është parakusht për relaksimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe, transmeton Koha.net.

Përkundër bisedimeve prej vitesh të sponsorizuara nga faktori ndërkombëtar, raportet mes Serbisë e Kosovës mbesin të acaruara.

Këto kanë qenë disa nga konkluzionet që kanë dalë në një konferencë të përbashkët mes politikanëve kosovarë dhe atyre serbë.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, një pjesë të fajit ia ka lenë Bashkimit Evropian, duke thënë se BE-ja është vonuar në Ballkan.

Politikanët serbë që jetojnë në Kosovë kanë vazhduar të shpërfaqin logjikën dhe fjalorin e njëjtë. Në atë që ata e quajnë “Kosovë e Metohi”, fajin kryesor e kanë shqiptarët. Marko Gjuriq, zyrtar i shtetit serb, ka kërkuar dialog me palën kosovare, në mënyre që sipas tij, të evitohet cirkusi politik.

Për të tejkaluar këtë fazë të raporteve të këqija dhe për ndërtim të relacioneve të mira, ambasadori holandez ka thënë se është shumë i rëndësishëm edhe ndryshimi i teksteve të historisë. Në këtë konferencë është përmendur edhe fakti se normalizimi nuk mund të bëhet përderisa Serbia vazhdon të kundërshtojë Kosovën në çdo nismë ndërkombëtare.