​LDK voton për nisjen e reformave nëpër degë

E publikuar: 19/04/2021 19:34
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, me shumicë votash ka marrë disa vendime në lidhje me organizimin e brendshëm, duke formuar ekipet të cilat do ta bëjnë vlerësimin e gjendjes aktuale në degët e kësaj partie, si dhe ka formuar gjashtë departamente.

LDK nëpërmjet një komunikate thotë se kryesia e saj, në përputhje me platformën për reforma dhe riorganizim, të paraqitur nga kryetari dhe të miratuar nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së, mori vendim që të krijojë ekipet të cilat do ta bëjnë vlerësimin e gjendjes aktuale në Degët e LDK-së.

“Këto ekipe do të propozojnë mënyrat që do të ndiqen në procesin e reformimit të thellë të degëve. Procesi i reformimit synon të riorgnizojë degët dhe t’i hapë ato ndaj individëve me kredibilitet dhe të rinjve që besojnë në vlerat tona të përbashkëta. Po ashtu, ekipet e Kryesisë do të ndihmojnë Degët në përgatitjet për zgjedhjet lokale. U aprovua propozimi i kryetarit për strukturën e re organizative: Riorganizohet Zyra për medie dhe Qendra për Informim e Kosovës – QIK; Në kuadër të Fondacionit “Ibrahim Rugova” themelohet Shkolla Politike”, thuhet në një komunikatë të LDK-së

Kryesia e Lidhjes Demokratike, aprovoi formimin e gjashtë departamenteve.

“Departamenti i Politikës së Jashtme; Departamenti i Rendit, Ligjit dhe Sigurisë; Departamenti i Ekonomisë dhe Biznesit; Departamenti i Arsimit, Kulturës dhe Sportit; Departamenti i Shëndetësisë; Departamenti i Rinisë; Departamenti i Avancimit Shoqëror. Këto departamente do të përgatisin dhe hartojnë qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, si dhe alternativën opozitare ndaj pushtetit”, thuhet në komunikatë.