​Sulmi në Vjenë, Ambasada e Kosovës kërkon nga kosovarët të qëndrojnë në vende të sigurta

E publikuar: 02/11/2020 22:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ambasada e Kosovës në Vjenë u ka bërë sonte thirrje të gjithë kosovarëve që të qëndrojnë në vende të sigurta, pas sulmit në një sinagogë në kryeqytetin austriak.

“Policia austriake njofton se që nga ora 20.15 në Lagjen/ Bezirkun 1. qendër të Vjenës, janë dëgjuar të shtëna dhe ka të plagosur. Autoritetet po punojnë në zbardhjen e rastit. Lusim edhe njëherë të gjithë qytetarët në Vjenë të qëndrojnë në vende të sigurta, në raste emergjente të telefonojnë policinë lokale në numrin 133 apo në numrin emergjent të ambasadës +43 676 7861865”, thuhet në postimin e ambasadës në Facebook.

Sonte ka pasur të shtëna me armë zjarri pranë sinagogës në qendër të Vjenës, ku sipas informacioneve të para një sulmues ka qëlluar në drejtim të policit që po ruante sinagogën dhe i cili është në gjendje kritike për jetën.

Një operacion policor është duke u zhvilluar në Vjenë dhe sipas policisë sulmuesi ndodhet në arrati, por tani për tani nuk është e qartë nëse ka më shumë sulmues, pasi ka informacione se ishin tre prej tyre.

“Ka disa njerëz të plagosur. Ne jemi në vend me të gjitha forcat në dispozicion. Ju lutemi shmangni të gjitha sheshet publike në qytet,” tha policia në një postim në Twitter.

Policia e Vjenës gjithashtu njoftoi se rrethanat e incidentit janë ende duke u përcaktuar. Ata u bënë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë larg asaj zone.

Siguria e brendshme e komunitetit fetar hebre në Austri u bëri thirrje të gjithë qytetarëve hebrenj të mos largohen nga banesat ose shtëpitë e tyre.