Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti ka deklaruar se në kohën kur bota merr kredi për shtimin e kapitalit në ekonomi, Kosova merr para nga ekonomia dhe i mban në bankë.
“Krejt bota merr kredi për të futur kapital të shumënevojshëm në ekonomi, ne kemi marr para nga ekonomia dhe po i mbajmë në bankë. Pra, përveç krizës ne kemi marr nga qytetarët dhe nuk kemi gjet mënyrë me i kthyer. Vetëm gjysma e këtyre fondeve të kthehej në këtë periudhë përmes programeve kreative do të kishte ndikim të madh”, ka shkruar ai në Facebook.
Postimi i plotë:
Bashkëqytetarë të nderuar
Paradoksi më i madh i situatës në Kosovë që ka pasoja marramendëse tek ne!
Shteti/qeveria i/e Republikës së Kosovës i ka në bankë qendrore të mbledhura nga ATK e Doganat e të pashpenzuara sot më 18 Nëntor 2020 më shumë se 1 (miliardë) Euro.
Po, Po mirë e lexuat – 1 MILIARD EURO!
Prej vendimeve që qeverisë së kaluar për ndalimin e investimeve kapitale e deri te mos lëvizja e qeverisë së tanishme janë akumuluar fonde marramendëse. Kur teoria kryesore në krejt botën është e shpenzimeve e kërkesës agregate, ne kemi shkuar në drejtimin e kundërt me kursime.
Krejt bota merr kredi për të futur kapital të shumënevojshëm në ekonomi, ne kemi marr para nga ekonomia dhe po i mbajmë në bankë. PRA, përveç krizës ne kemi marr nga qytetarët dhe nuk kemi gjet mënyrë me e kthyer.
Ne s’paskemi nevojë as të kreditohemi as të shpikim shpenzime e transfere nga trusti. Vetëm gjysma e këtyre fondeve të kthehej në këtë periudhë përmes programeve kreative do të kishte ndikim të madh.
Nuk është koha për konzervatizëm e kontabilitet. Është koha për kreativitet e shpenzim.