​Palmer: Nuk ka krahasim të Kosovës dhe Republikës Serbe për Shtetet e Bashkuara

E publikuar: 09/09/2020 19:33
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

I dërguari special i sekretarit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, deklaroi sot se nuk ka krahasim relevant ndërmjet Kosovës dhe Republikës Serbe për Shtetet e Bashkuara.

“Kosova është një shtet me të cilën kemi marrëdhënie diplomatike. Sa për Republikën Serbe, korniza për të ardhmen politike u krijua nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit dhe kjo është e ardhmja e BeH, e cila është e pavarur dhe ka integritetin e saj territorial,” tha Palmer, transmeton gazeta Dnevni Avaz e Bosnjës.

Duke folur për marrëveshjen midis Beogradit dhe Prishtinës në Uashington, Palmer vuri në dukje se marrëveshja e arritur ka për qëllim mbështetjen e normalizimit të marrëdhënieve ekonomike.

“Ne do të dëshironim shumë të shihnim një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila do të hapte rrugën drejt BE-së. Normalizimi ekonomik duhet gjithashtu të mundësojë normalizimin politik të marrëdhënieve,” tha ai.