Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi sot ka vizituar një kompani që merret me prodhimin e maskave në Malisheve. Nga aty ai ofroi përkrahje për të gjitha bizneset për tejkalim të krizës që ka shkaktuar pandemia COVID-19.
Krasniqi tha se tashmë edhe me Ligjin për Rimëkëmbje do kenë më shumë mundësi t’u dalin në ndihmë bizneseve prodhuese në vend.
“I inkuarojë që biznesin e tyre dhe kapacitetet e tyre t’i rrisin edhe më tepër. Tashmë si qeveri kemi miratuar Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, ligj i cili parasheh që t’i mbështesë mbi 80 përqind të bizneseve që janë atakuar më së shumti, sigurisht do kenë mundësi të përfitojnë…ne si MTI përveç kësaj gjatë këtij viti kemi ndarë edhe grante me makineri, me pajisje teknologjike në certifikata të standardeve ISO, dhe po ashtu në planin e vitit 2021, kemi rrit buxhetin dhe që përmes Ligjit për Rimëkëmbje, diku rreth 10.4 milionë euro do ndahen për bizneset kosovare”, tha ai.
Kurse, nënkryetari i komunës së Malishevës, Hajdin Berisha tha se është inkurajuese që bizneset, krahas vështirësive që po i kalojnë, po vazhdojnë me prodhim.
“Po kalojnë pothuasje rreth nëntë muaj të pandemisë në Kosovë. Sikurse edhe në gjithë globin, bizneset po ballafaqohen me vështirësi të mëdha, andaj ne jemi këtu bashkë me ju për t’i parë shqetësimet dhe hallet e tyre që janë ballafaquar gjatë kësaj periudhe kohore. Është inkurajuese që bizneset po vazhdojnë punën”, theksoi ai.
Kurse, pronari i kësaj kompanie, Naser Hoxha tha se kjo kompani bënë prodhimin e maskave 24 orë dhe rreth 80 përqind e prodhimit është i destinuar për eksport.
“Prodhimin e bëjmë këtu 24 orë pa ndërprerë. Prodhimet tona janë të destunara për tregun evropian, thuajse 80 përqind e bëjmë për eksport dhe shpresojmë që edhe në tregun e Kosovës më shumë të kemi hapësirë”, tha ai. /B.Ibishi/