Në javën e dytë të punës si presidente në detyrë, Vjosa Osmani ka pritur në takim kryeministrin, Avdullah Hoti. Mëngjesin e së hënës dy bartësit e tri institucioneve kryesore në vend u takuan për herë të parë, megjithëse ka muaj që ushtrojnë funksione institucionale. Për rreth pesëdhjetë minuta ata diskutuan gjerësisht për zhvillimet e fundit në vend.
E pas takimit, i vetëm para mediave doli kreu i qeverisë, i cili tha se u dakorduan me presidenten në detyrë që të kenë koordinim ndërinstitucional për menaxhimin e situatës së krijuar.
Ndërkaq, përmes një komunikate për medie nga presidenca, thuhet se presidentja në detyrë, Vjosa Osmani bëri të ditur se ka shtruar nevojën e koordinimit institucional në përballje me pandeminë COVID-19.
Duke kërkuar maturi politike, Hoti para gazetarëve tha se në këto rrethana, të gjitha partitë politike duhet të bëhen bashkë për të gjetur një zgjidhje pas dorëheqjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Hoti: U dakorduam që vazhdimisht të konsultohemi
Video:
“Biseduam për të gjitha çështjet që duhet të koordinohet kryeministri me presidentin e vendit në këtë kohë… diskutuam për zhvillimet e fundit dhe u dakorduam që vazhdimisht të konsultohemi në menaxhimin e kësaj situate për të çuar mesazhin e qartë. Unë jam tepër i interesuar që, pavarësisht zhvillimeve politike dhe proceseve që kalon vendi si rezultat i dorëheqjes së presidentit të vendit, ku tash forcat politike duhet të bëhen bashkë për të gjetur zgjidhjen. Të japim mesazhin e maturisë së institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Hoti.
Ani pse, prej kur ka marrë detyrën në qershor, kryeministri Hoti nuk e ka takuar asnjëherë Osmanin në cilësinë e kryetares së Kuvendit, kreu i qeverisë tha së në takimin e sotëm kanë biseduar edhe për organizimin e punës së legjislativit.
Ai i kërkoi bashkëpunim kryeparlamentares për kalimin e disa prej marrëveshjeve ndërkombëtare që lidhen me menaxhimin e pandemisë, por edhe Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.
Hoti: Biseduam për situatën e pandemisë dhe i kërkova mbështetjen për menaxhimin e situatës
Video:
“Biseduam gjerësisht për situatën e pandemisë që po kalojmë dhe i kërkova edhe mbështetjen e saj që të menaxhojmë këtë situatë. Në veçanti në organizimin e punës së Kuvendit dhe kalimin e disa prej marrëveshjeve ndërkombëtare që janë të lidhura me disa prej fondeve dhe menaxhimin e pandemisë, por edhe Fondin për rimëkëmbje ekonomike”, u shpreh ai.
Krahas këtij deklarimi, kryeministri Hoti nuk pranoi të përgjigjet në pyetjet e gazetarëve, ndërsa presidentja në detyrë, Vjosa Osmani zgjodhi të mos deklarohet për media.
Presidenca, përmes një komunikate për medie, tha se takimi është mbajtur në vazhdën e koordinimit dhe bashkërendimit ndërinstitucional.
“Takimi është mbajtur në vazhdën e koordinimit dhe bashkërendimit ndërinstitucional. Ne takim janë diskutuar aspekte të përgjithshme të funksionimit në vend. Kryeministri Hoti e ka njoftuar u.d. presidenten Osmani për hapat e ndërmarrë në menaxhimin e pandemisë, dialogun me Serbinë, aspekte të politikës së jashtme si dhe çështje të sigurisë. Ndërkaq u.d. presidentja Osmani ka shtruar nevojën e koordinimit institucional në përballje me pandeminë COVID-19, në këtë situatë të vështirë, në mënyrë që të zvogëlohen pasojat në njerëz nga kjo pandemi” thuhet në komunikatën për medie.
Osmani prej datës 5 nëntor është u.d së presidentit të vendit, pas dorëheqjes së ish-presidentit, Hashim Thaçi si pasojë e konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale./E.Zeqiri

















