Partia Socialiste i ka dhënë fund dilemës se kush do të jetë kandidati i saj për Bashkinë e Tiranës. Ai është ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj.
“Ne kemi përfunduar edhe procesin e Tiranës dhe, sigurisht do të kemi më shumë kohë për të folur më gjatë, por shumë shkurt kandidati ynë i Aleancës për Shqipërinë Europiane në Bashkinë e Tiranës do të jetë Erion Veliaj”, tha kreu i PS-së e njëkohësisht kryeministri Edi Rama.
Përmes kësaj deklarate të shkurtër për mediet, kryeministri Edi Rama njoftoi zyrtarisht emrin e ministrit Veliaj si kandidat për Tiranën, pas një takimi 40-minutësh që pati me deputetët e kryeqytetit.
Në reagimin e tij të parë, pas zyrtarizimit si kanditati i së majtës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj nëpërmjet një komenti në Twitter ka thënë:
“Do jap gjithçka për besimin, që investoi tek unë PS dhe Aleanca jonë. Tiranën do ta rilindim, bashkinë do ta kthejmë në punë 24 orë në ditë, në 7 ditë të javës, të gjithë bashkë”, shkruan Veliaj.
Pak më herët, Rama firmosi marrëveshjen e koalicionit të majtë me të gjithë aleatët për zgjedhjet e 21 Qershorit. Pak para zyrtarizimit të Veliajt, kreu i LSI-së Ilir Meta bëri këtë koment për kandidatin e Tiranës.
“Patjetër që, për Tiranën besoj do të jetë një emër shumë gjithëpërfshirës”, deklaroi Meta.
Pasditen e së enjtes, në selinë e Partisë Socialiste, më shumë se 40 parti politike iu bashkuan koalicionit të majtë. Mes tyre edhe Shpëtim Idrizi i PDIU-së, duke dëshmuar kështu se kjo parti do të jetë pjesë e koalicionit të majtë. Munguan në nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje aleatët tradicionalë të PS-së, Vangjel Dule i PBDNJ-së, Paskal Milo, si dhe Skënder Gjinushi, i cili u përfaqësua me sekretarin e Përgjithshëm të PSD-së.
PD prezanton Halim Kosovën
Me një ecje në këmbë përgjatë qendrës së kryeqytetit, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka zgjedhur të prezantojë kandidatin e opozitës për Bashkinë e Tiranës, doktorin Halim Kosova.
“Vijmë tek ju me njeriun që e do Tiranën, njeriun që ka jetuar dhe jeton në qytetin e Tiranës, që u ka shërbyer nënave, vajzave, djemve dhe etërve të qytetit të Tiranës dhe tani është gati t’i përfaqësoja ata të gjithë dhe të luftojë për ta si kryetar i ardhshëm i Bashkisë së Tiranës. Jam me fat që këtë përgjegjësi që tejkalon çdo atribut politik që unë kam, këtë gjithëpërfshirje, se me fjalën gjithëpërfshirje është abuzuar pak sot, këtë gjithpërfshirje të plotë qytetarë për kandidimin e kandidatit tonë ta bëj publike, ju tashmë e dini është doktor Halim Kosova”, tha Basha.
Sipas Bashës ishte thirrja e qytetareëe që vendosi emrin e Halim Kosovës si kandidat për kryeqytetin, thirrje të cilën Basha u shpreh se e respektoi.
Nga ana e tij, kandidati Halim Kosova nuk mund t’i shpëtojë dhe paralelizmave të lidhura me profesionin e tij, atë të gjinekologut.
“Mbështetja që kam pas këto ditë, qoftë nga të dhënat që Partia Demokratike ka mbledhur, nuk është gjë tjetër veçse një detyrim i madh dhe i jashtëzakonshëm dhe sapo m’u komunikua kjo punë, ose sapo filluan dhimbjet për të lindur lajmi i shëndetshëm që doli në pah, mua si gjithmonë m’u prish gjumi dhe duke u përpëlitur në orën 3 të mëngjesit më tha bashkëshortja, po ti çfarë ke? I thashë – paska qenë e thënë që në këtë dynja të mos fle rehat. E pranoj me shumë kënaqësi sepse në fund të fundit do të sakrifikoj një grup njerëzish për t’i shërbyer një popullate që ka nevojë për të shkuar atje ku duhet”, tha kandidati i saposhpallur i demokratëve.
Halim Kosova i bëri të ditur qytetarëve se ai nuk është profili i politikanit që flet shumë, por që punën e tij e tregon me anë të veprave. / Top Channel