Policia e Kosovës ka arrestuar sot në flagrancë një zyrtar publik të gjendjes civile, i dyshuar për marrje ryshfeti në këmbim të një shërbimi zyrtar.
Sipas njoftimit zyrtar, Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, në koordinim me Prokurorinë kompetente, ka ndërmarrë veprime operative që çuan në arrestimin e të dyshuarit në momentin kur ai po pranonte shumën e dyshuar si ryshfet.
“Gjatë hetimeve janë siguruar dëshmi relevante që çojnë në dyshimin se zyrtari publik ka kërkuar dhe pranuar para në këmbim të një shërbimi zyrtar,” thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Gjatë arrestimit janë gjetur dhe sekuestruar prova materiale që lidhen me rastin. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është ndaluar për 48 orë.
Rasti është kualifikuar si “Marrje e ryshfetit” sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Hetimet janë në zhvillim e sipër.

















