Ndaj deklaratës së analistit politik, Shkëzen Maliqi për gazetën serbe “Danas” se serbët mund të rezistojnë në mënyrë të armatosur me 1 shtator, ka reaguar zyrtari i Vetëvendosjes, Arbër Zaimi.
Duke e quajtur Maliqin ish-këshilltar të kryeministrit shqiptar Edi Rama, Zaimi ka pyetur se për çfarë do të rezistojnë serbët. Ai ka konstatuar se serbët në Kosovë janë të barabartë dhe nuk diskriminohen sikur shqiptarët në Jugosllavi.
“Ish këshilltari i km. Rama, Shkëlzen Maliqi, për median serbe Danas paska thënë se serbët më 1 shtator do rezistojnë me armë. Por për çfarë do të rezistojnë? Kundër barazisë me shqiptarët? Betejat e tilla janë të humbura. Nuk ka më vend për popuj të dorës së parë e popuj të dorës së dytë, apo të dorës së tretë siç diskriminoheshin shqiptarët në Jugosllavi”, ka shkruar Zaimi në llogarinë e tij në Facebook.
Sipas Zaimit, çdo komunitet, sado minoritar, në Kosovë gëzon të drejta dhe akses institucional më shumë se në çdo vend të Ballkanit.
“Askush nuk i sulmon dhe askush nuk i rrezikon serbët e Kosovës, përveç bandave kriminale që ushqehen nga Beogradi e Moska. Askush nuk e rrezikon paqen në rajon, përveç atyre që mbajnë derën hapur për Rusinë. Përndryshe, sondazhe për Kosovën nuk ka, por për gatishmërinë e popujve për të mbrojtur atdheun, në rajonin tonë, ka patur sondazhe interesante”, ka përfunduar ai.
Zaimi ka publikuar edhe një sondazh ku matet gatishmëria e popujve për të mbrojtur vendet e tyre, ku nuk ka të dhëna për Kosovën.
Maliqi ka thënë se Vuçiqit nuk i kanë mbetur shumë zgjidhje para synimeve të Kosovës për reciprocitet në kufij. Ai ka thënë se Kosova, qartazi e ka mbështetjen e Perëndimit për vendosjen e këtyre masave.
“Për 1 shtatorin Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar nisjen e implementimit të reciprocitetit në kalimet kufitare, gjë e cila do të nxis edhe një herë rezistencë të armatosur nga serbët. Masat e reciprocitetit të Kosovës qartazi kanë mbështetjen e Perëndimit, kështu që Vuçiqit nuk i është lënë hapësirë për të kërkuar një zgjidhje tjetër”, ka thënë ai për të përditshmen serbe. /GazetaExpress