Si Tirana ashtu edhe Partizani ranë dakord që derbi i kryeqytetit të zhvillohet të premten ne “Qemal Stafa”.
Tashmë është zyrtare, derbi mes Tiranës dhe Partizanit, i vlefshëm për javën e 24-rt të kategorisë superiore do të luhet të premten në orën 19:00, në “Qemal Stafa”. Dy klubet e kryeqytetit njoftuan nëpërmjet faqeve të tyre zyrtare që kjo supersfidë e futbollit shqiptar është shtyrë vetëm 24 orë, edhe pse ekzistonte si alternativë shvillimi i saj edhe mesjavën e ardhshme.
Pas shumë negociatash me Federatën Shqiptare të Futbollit dhe të lodhur nga shtyrjet e njëpasnjëshme, si Tirana ashtu edhe Partizani ranë dakord që derbi i kryeqytetit të zhvillohet të premten.
Prej më shumë se dy javës sfida më e ndjerë e futbollit shqiptar u shndërrua në një telenovelë të vërtetë. Në bazë të kalendarit, Tirana – Partizani e fazës së tretë duhej të zhvillohej më 28 shkurt në Qemal Stafa, por tapeti i saposhtruar i impiantit kryeqytetas, nuk ishte gati për këtë datë për shkak të reshjeve të vzhdueshme të shiut dhe temperaturave të ulëta, që ngadalësuan lidhjen e barit me tokën. Në mungesë të një stadiumi tjetër, derbi u shty për datën 12 mars, por protesta që Opozita do të zhvillojë këtë të enjte bëri që policia të mos e merrte përsipër sigurinë në stadium, ku pritet të ketë një numër të madh tifozësh.
Data 13 mars është e treta e vërteta, sigurisht nëse nuk do të ketë ndonjë zhvillim tjetër të paparashikuar, që do ta bënte qesharake situatën.